8 pas hekurave, 1 në kerkim për uniformat: Për çfarë i akuzon SPAK zyrtarët e MB

schedule10:03 - 10 Korrik, 2021

schedule 10:03 - 10 Korrik, 2021

Abcneës.al ka siguruar njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me operacionin anti-korrupsion në Ministrinë e Brendshme.

SPAK njofton se më 11 qershor të vitit 2020, në Agjencisë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me objekt “Blerja dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit,” për katër vjet, me fond limit 2,8 miliardë lekë pa TVSH.

Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe  anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Kështu, pas kërkesës së bërë nga SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personale “arrest me burg” për Edlira Naqellarin, e dyshuar për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim.

-“Arrest me burg” për Flutura Çerkezin, anëtare e Njësisë së Prokurimit

-“Arrest në shtëpi” për Anisa Bogdanin, anëtare e Njësisë së Prokurimit

-“Arrest me burg” për Ani Omurin, anëtar i Njësisë së Prokurimit

-“Arrest me burg” për Kleviz Hasanin, anëtar i Njësisë së Prokurimit

-“Arrest me burg” për Kreshnik Bejkaj, anëtar I Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

-“Arrest me burg” për Fatmir Femneri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

-“Arrest me burg” për Mariglen Buxalin, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

-“Arrest me burg” për Gëzim Mingaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Vijon…

Gjithçka nisi dy vjet më parë kur Ministria e Brendshme hapi tenderin me vlerë kolosale prej 25 milion eurosh me qëllim blerjen e uniformave për efektivët e Policisë së Shtetit deri më 2023.

Afati limit për pranimin e ofertave ishte 23 gushti dhe sipas të dhënave të publikuara nga “OpenData” fitues u shpall bashkimi i kompanive “D&E SHPK dhe SUMMER CONF. s.r.l dhe LOVERS s.r.l dhe YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. AS A. VEDAT YAKUPOGLU”.

Këto kompani morën përsipër që t’i ofrojnë uniformat Policisë së Shtetit me një çmim mesatar për njësi prej 319 966 lekësh, raporton abcnews.al. Ndërkohë, dy ofertat e tjera kishin një çmim mesatar për njësi 133 480 lekë dhe 446 667 lekë.

Pasi mori ofertat Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme vendosi të skualifikojë dy ofertat e para duke shpallur fituese atë të bashkimit të disa kompanive shqiptare me ato turke prandaj edhe uniformat e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, janë të njëjta, përveç logove me ato të Policisë së Turqisë.

Çfarë ndodhi?

Fill pas shpalljes së fituesit, u pa që tenderi kishte probleme dhe ai kategorizohet si me “flamur të kuq” nga “OpenData”, ndërkohë që një ndër kompanitë e skualifikuara ankohet në Agjencinë e Prokurimeve Publike për procedurat e ndjekura.

Bëhet fjalë për kompaninë Marsi-al, e cila  pretendoi se ishin bërë modifikime të dokumenteve të tenderit. Kjo kompani ka fituar tenderin prej 960 mijë eurosh për prodhimin e uniformave të policisë në dhjetor 2015. Ankesa e kompanisë u hodh poshtë nga Komisioni i Prokurimeve Publike, KPP.

Pas kësaj ankese dhe padisë së dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë fillojnë hetimet e SPAK që çun sot pas hekurave zyrtarët e Ministrisë. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!