75-vjetori i NATO-s, aleanca sot feston më e shqetësuar se kurrë për Ukrainën

schedule09:13 - 4 Prill, 2024

schedule 09:13 - 4 Prill, 2024

NATO po feston sot 75 vjetorin e themelimit me më shumë shqetësim se kurrë për Ukrainën, e cila po përballet me vështirësi në fushën e betejës, me mungesë municionesh dhe armësh për t’i rezistuar presionit në rritje nga forcat ruse.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut lindi më 4 prill 1949 dhe ndërtoi aleancën më të fuqishme në histori, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i saj Jens Stoltenberg.

“75 vjet më vonë, Europa është përballur me një luftë të përmasave që ne menduam se kishte kaluar, tha Stoltenberg, i cili mori postin e kreut të NATO-s dhjetë vjet më parë, disa muaj pasi Rusia aneksoi Krimenë.

Aleanca Atlantike është “më e fortë, më e bashkuar dhe më e madhe se kurrë”, me 32 anëtarë sot, dy prej të cilëve, Finlanda dhe Suedia, u bashkuan pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, tha Sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken.

Megjithatë, sot kërcënohet nga lufta në Ukrainë, një konflikt në tokën europiane i paprecedentë që nga Lufta e Dytë Botërore, por edhe nga pasiguritë që rrethojnë angazhimin amerikan ndaj Europës.

Stoltenberg nuk fshehu shqetësimin e tij për situatën në frontin në Ukrainë, duke u kërkuar aleatëve që t’i përgjigjen me shpejtësi “nevojave urgjente” të vendit në municione, artileri dhe mbi të gjitha në mjetet e mbrojtjes kundërajrore.

Trupat ruse janë të përgatitur të humbin në këmbim të përfitimeve minimale territoriale, duke treguar shumë pak respekt jetën e njerëzve, tha ai.

“Kjo është arsyeja pse situata në front është kaq e vështirë,” shpjegoi ai.

Stoltenberg propozoi një angazhim të vendosur dhe afatgjatë të aleatëve në favor të Ukrainës. Ai iu referua krijimit të një fondi prej një miliardë eurosh gjatë pesë viteve, një shifër që u prit me skepticizëm nga disa prej tyre, përfshirë Gjermaninë.

Franca, Gjermania dhe Polonia, nga ana e tyre, propozuan në një deklaratë të përbashkët që vendet e NATO-s të angazhohen në tërësi të kushtojnë 2% të PBB-së së tyre për shpenzimet ushtarake.

Vetëm rreth 20 vende aktualisht po përmbushin këtë objektiv, të cilin të gjitha e nënshkruan deri në dhjetë vjet më parë.

Stoltenberg u ankua gjithashtu për bllokimin e më shumë se 60 miliardë dollarëve të ndihmës amerikane nga Kongresi për një veto nga ligjvënësit republikanë që mbështesin ish-presidentin amerikan Donald Trump.

Pasiguritë rreth këtij angazhimi amerikan rëndojnë edhe mbi të ardhmen e Aleancës. Zyrtarët europianë të NATO-s kanë shprehur frikë për kthimin eventual të miliarderit në Shtëpinë e Bardhë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!