Viktimat nga koronavirusi në Rusi shënuan rekord të ri ditor. Autoritetet njoftuan për 737 të vdekur brenda 24 orëve të fundit dhe 23 mijë e 378 raste të reja.
Infeksionet e konfirmuara ditore në Rusi janë rritur më shumë se dyfish në krahasim me muajin e kaluar: nga mesatarja e 9,000 të infektuarve në ditë në fillim të qershorit në më shumë se 23,000 këtë javë.
Sipas autoriteteve shëndetësore vendase, shkaku i shtimit të infektimeve është varianti “Delta” i covid. Ky variant, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është rreth 60% më ngjitës se variantet e mëparshme.
Në Rusi, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, qeveria ende nuk ka paraqitur ndonjë plan për izolimin e vendit. Sipas Universitetit Johns Hopkins, që mbledh të dhëna për pandeminë, koronavirusi ka prekur mbi 184 milionë njerëz në të gjithë botën.
Prej tyre, mbi 3.9 milionë kanë vdekur.
Vendi më i dëmtuar nga Covid është SHBA-ja, me mbi 33 milionë raste të konfirmuara dhe mbi 605,000 viktima./abcnews.al


