68 mijë punonjës fason rrezikojnë të mbeten pa paga, apel për ndihmë

schedule17:37 - 1 Prill, 2020

schedule 17:37 - 1 Prill, 2020

Sektori fason paralajmëron se nuk do të paguajë pagat e punonjësve pasi ndodhen ne vështirësi financiare.

Me anë të një letre drejtuar kreut të qeverisë dhe ministrive të linjës theksohet se kompanitë ndodhen në vështirësi serioze financiare.

Në këtë mënyrë janë mbi 68 mijë punonjës që rrezikojnë të mbeten pa të ardhura.

Letra e dërguar në emër të 762 kompanive që operojnë në sektorin fason thekson se ndodhen  në kushtet e pamundësisë për të vijuar pagesën e punonjësve, si për ndërmarrjet që punojnë, ashtu edhe për ato që janë në pamundësi të vijimësisë së kontratave.

Ndërsa edhe ato kompani që punojnë  nuk presin të marrin pagesa nga kontraktorët  pasi ato  janë shtyrë në kohë për shkak se tregu nuk siguron shitjen e produkteve tona për arsye të Pandemisë Globale. Gjithashtu biznesi fason ngre si shqetësim faktin se kanë 4-5 vite që nuk iu rimbursohet TVSH-ja duke i krijuar një ngërç në veprimtarinë e tyre.

Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania”  ndër të tjera shkruan në një letër, se tashmë ndodhen në kushtet e pamundësisë  për të negociuar me bankat tregtare, ngadalësia  e të cilave për të aktivizuar shtyrjen e kredive apo aplikimin për kreditë e mbështetura në garancinë sovrane, është e pafalshme.

Ndërsa theksojnë se  nuk mund të aplikojnë për kredi me garanci bankare  që fillojnë te pragu 3 % e lart. Nisur nga këto vështirësi sektori fason kërkon që të sigurohet një mbështetje për pagimin e pagave të asistencës apo papunësisë për të gjithë punonjësit     fason për një periudhë tre mujore.

Të shtyhet për një afat të caktuar pagesa të detyrimeve fiskale për të gjithë kompanitë fasoniste,  si dhe pagimi i  detyrimeve lokale si tarifa dhe taksa vendore në një kohë të mëvonshme dhe me shtrirje kohore në pagimin e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!