6 pikat më të rëndësishme në kohën që BE hyn në një etapë të re

schedule17:00 - 20 Qershor, 2019

schedule 17:00 - 20 Qershor, 2019

Nis në Bruksel samiti dy ditor i liderëve të Bashkimit Europian ku do të mungojë Britania e Madhe. Temat e diskutimit do të jenë të shumta, dhe sipas analistëve ka pak gjasa që të ketë marrëveshje në përfundim të tij.

Liderë të Europës janë mbledhur për një samit dy ditor në Bruksel, i cili pritet të ketë përplasje për sa i përket pesë posteve të mbetura ende bosh. Më shumë se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare europiane, duket se nuk ka shenjë për një marrëveshje mes grupeve parlamentare apo Kryeministrave të vendeve anëtare për atë që duhet të zëvendësojë Jean Claude Juncker si President i Komisionit Europian.

Kjo çështje mund të ndikojë dhe emërimet në poste si President i Bankës Qendrore Europiane dhe përfaqësuesit së lartë të Bashkimit Europian për Çështje të Jashtme. Në samitet e mëparshme, hegjemonia franko-gjermane ka gjetur një pikë të përbashkët për mbështetjen e një kandidati të vetëm.

Por tashmë ka mosmarrëveshje mes kancelares gjermane Angela Merkel, e cila mbështet teknokratin e qendrës së djathtë Manfred Ueber dhe Presidentit francez Emanuel Makron, i cili preferon kandidatë të tjerë përfshirë dhe Frans Timermans të qendrës së majtë, negociatorin për Brexit Mishel Barnier apo Margaret Vestager.

Vitet e kaluara, grupi më i madh parlamentar vendoste për Komisionet, por rezultatet e fundit të zgjedhjeve parlamentare europiane nuk kanë nxjerrë një grup parlamentar me një mazhorancë të qartë. Dy grupet kryesore kanë humbur mazhorancën për herë të parë në historinë e Parlamentit në një kohë që votuesit mbështetën aleancat pro europiane, të gjelbërit dhe partitë anti-BE.

Takimi i Këshillit Europian pritet të prodhojë vendime të rëndësishme për takimet e radhës në ciklin e ardhshëm institucional si dhe përcaktimin e axhendës strategjike për 2019-2024.

Të premten 27 liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, minus Britaninë e Madhe, do të takohen për një euro samit ku pritet të diskutojnë çdo gjë për një buxhet të ri.

Pesë postet kryesore janë ende bosh ndërkohë: Presidenti i Komisionit Europian dhe Këshilli Europian, Shefi i Policisë së Jashtme, kryetari i Parlamentit Europian dhe drejtori i Bankës Qendrore Europiane.

Për postin e presidentit të Komisionit Europian, një kandidat fillimisht duhet të emërohet nga një mazhorancë e qartë e Këshillit Europian, 21 liderë evropianë dhe më pas të marrë miratimin e një mazhorance në parlamentin europian, thënë ndryshe 376 vota pro nga 751 eurodeputetë.

Ndërkohë tetë vende vijojnë të bëjnë presion për përcaktimin e një drafti për ndryshimet klimatike që do të ishte një plan i qartë deri në vitin 2050. Qipro, Danimarka, Letonia, Luksemburg, Holanda, Portugalia, Spanja dhe Suedia duan të japin një mesazh të qartë për liderët europian para një takimi të rëndësishëm në Kombet e Bashkuara në samitin e shtatorit

Në një kohë që Britania e Madhe po bën të pamundurën për të dalë nga Bashkimi Evropian, vende të tjera po përpiqen të hyjnë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhej të kishin nisur negociatat, por disa qeveri europiane e shtynë këtë proces për disa muaj të tjerë. Në mënyrë të veçantë Gjermania tha se procesi kishte nevojë për miratimin e parlamentit të vendit, me Michael Roth që theksoi se ishte e pamundur për një kohë të shkurtër.

Shtyrja ka krijuar gjendje alarmi në Ballkan, sidomos në Maqedoninë e Veriut ku politikanë pro Bashkimit Europian po përballen me forcimin e rivalëve të tyre populistë.

Ndërsa Qipro kërcënon se do të përdorë veton për çdo marrëveshje deri Bashkimi Europian të përballet me Turqinë, e cila po kryen kërkime në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros, në lindje të detit Mesdhe./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!