Në kuadër të nismave shkencore për njohjen, përballimin dhe zotërimin e gjendjes së pandemisë të shkaktuar nga Covid-19 në Shqipëri, Akademia e Shkencave, nëpërmjet E-Grupit në ndjekje të pandemisë, komisionit të mjekësisë e njësive pranë saj, ka ndërmarrë disa studime.
Ndër më të rëndësishmet është ndjekja në vazhdimësi nëpërmjet testimeve serologjike të nivelit të imunitetit të fituar në popullatë ndaj Sars Cov-2 realizuar nga specialistёt akademik Genc Sulçebe dhe Prof. Dr. Alban Ylli.
Nga ky studim autorët dolën në konkluzionin se përhapja e imunitetit specifik ndaj Covid-19 në popullatën e qytetit të Tiranës në 3 muajt e parë të epidemisë ka qenë relativisht e kufizuar.
Ndërkohë vërehet se në kryeqytet brenda muajit qershor 2020, ka pasur një rritje më të shpejtë të përhapjes së infeksionit në komunitet, të vlerësuar në 6-7 për qind. Kjo sipas tyre është ende shumë larg imunitetit kolektiv të ashtuquajtur të tufës.
Imunologu Genc Sulçebe në një intervistë për “ABC News” foli për këtë studim të publikuar së fundmi për pasojat e COVID-19 në vendin tonë.
Sulcebe tha për gazetarin Endri Xhafo se qëllimi i këtij studimi ishte të bënte një studim të pozitivitetit të antitrupave ndaj këtij virusi në qytetin e Tiranës ku është përqendruar edhe numri më i madh i rasteve.
“Qëllimi i studimit ishte të bënte një studim të pozitivitetit të antitrupave ndaj këtij virusi në qytetin e Tiranë ku është përqendruar edhe numri më i madh i rasteve. Në fund të majit u bë një sondazh fillestar me dhuruesit e gjakut në bashkëpunim me qendrën ndërkombëtare të dhurimit të gjakut. Në 128 dhurues u gjet vetëm një pozitiv. Pra një pozitivitet prej 0.8% që është mjaft i ulët.
Pra tregon se në tre muajt e parë të epidemisë, në mars, prill dhe fillim të majit qarkullimi i virusit ka qenë shumë i kufizuar. Një muaj më pas, javën e parë të korrikut në bashkëpunim me katër qendra shëndetësore të Tiranës bëmë një studim në 264 individë të përzgjedhur rastësisht në këto qendra.
Lexo edhe: Në cilat ambiente rrezikohemi nga Covid? Sulçebe: Infektimi nuk ndodh në rrugë apo në plazh
Këta individë nuk kishin sëmundje dhe doli një pozitivitet i përgjithshëm nga 264 individë prej 6.4 % në një popullatë të përgjithshme prej 202 mijë banorë. Ajo që ishte interesante është se midis qendrave të ndryshme kemi variabilitet të ndryshueshmërisë së pozitivitetit.
Më e lartë ishte në qendrën shëndetësore nr.9. Mesatarisht ishte në qendrën shëndetësore numër 3 me 6.3%. Ndërkohë në qendrën shëndetësore nr.8 ishte më e ulët , me 2.8%. Në Laprakë, në qendrën shëndetësore nr.7 përqindja ishte zero në 47 individë.
Por ajo që ka rëndësi ishte se në Tiranë ishte 6.4% dhe mesa duket edhe brenda Tiranës ka ndryshueshmëri të madhe sipas lagjeve apo vatrave. Dihet tashmë se kjo epidemi është në formën e vatrave. Është me vatra sepse infeksioni në përgjithësi është në komunitetet e ngushta. Dendësia e popullatës dhe kontaktet e shumta luajnë rol të rëndësishëm.
Në vendet ku popullata është më pak e dendur përqindja është me ulët. Duhet të kemi parasysh se kjo përqindje paraqet qarkullimin e infeksionit tre katër muajt e parë që tek ne ka qenë i kufizuar edhe për arsye të kufizime. Në vendet e tjera virusi ka qarkulluar disi më tepër. Aktualisht kemi rritje të infeksionit dhe padyshim mund të kemi rritje dhe shifrat tona mund t’i afrohen atyre Evropiane”, sqaroi imunologu.
Është pozitiv apo negativ rezultati me një pozitivitet prej 6.4% në raport me Evropën ?
Sulçebe: Nuk ka rëndësi përqindja, por është një fakt që tregon se jemi shumë larg imunitetit të tufës. Pra 50-60% e popullatës kanë rënë në kontakt dhe ka fituar njëfarë imuniteti atëherë nuk përhapet infeksioni, pra në jemi shumë larg kësaj.
E kemi të pamundur të parashikojmë se kur do të arrihet imuniteti i tufës?
Sulçebe: Është shumë vështirë të parashikohet sepse varet nga variabla shumë të ndryshme, por në duhet të përpiqemi që përhapja e virusit të jetë sa më e ngadalshme. Nuk duhet ta lemë në mënyrë të natyrshme përhapjen e infeksionit.
Përhapja natyrale drejt imunitetit të tufës sjell një sëmundshmëri shumë të lartë. Masat për ndalimin e infeksionit që duhet të jenë sa më të forta ndikojnë në këtë shpejtësi. Pra më rëndësi është minimizohet rritja e infeksionit, e vetmja mënyrë është parandalimi. Dhe kjo arrihet me anë të mbajtjes së maskave. Mbajtja e maskave ka treguar se në 80 % të rasteve e ul infeksionin.
Në fillimet e pandemisë nuk e rekomandonin maskën, ku janë sot studimet që deri dje na thonin që maska nuk është element mbrojtës?
Sulçebe: Ky infeksion ka ardhur në mënyrë të papritur. Autoritetet kanë qenë të dyzuar. Çdo hipotezë që maskat luajnë rol negativ ishte pabesueshme, ne e kemi thënë që në fillim se janë një element mbrojtës. Por një gjë ka qenë e qartë se ky infeksion del dhe merret nga rrugët e frymëmarrjes.
Pra ka pasur disa hezitime për mbajtjen e maskave. por tani dalëngadalë të gjithë po shkojnë drejt asaj që duhet të bashkëjetojmë me këtë virus dhe bashkëjetesë do të thotë që ne të ruhemi. Parandalimi bëhet nëpërmjet maskës. Ne duhet të shkojmë drejt kësaj kulture dhe të kuptojmë që kjo është e vetmja mënyrë për ta parandaluar.
A ka një shpjegim shkencor për sjelljen e virusit i cili në fillim u mendua se do të kishte sjellje sezonale dhe në verë do të zbehte efektin e tij. Ndërkohë shohim se kemi shpërthime të virusit?
Sulçebe: Është e vërtetë që të gjithë viruset sezonal janë të shprehur në periudha të ftohta. Ndërsa në të nxehtë zhduken, e njëjta gjë pritej dhe me covidi-n , por kjo gjë nuk u vërtetua. Kjo mesa duket tregon se kemi të bëjmë me një virus efektiviteti i të cilit është i lartë.
Pra ka një qëndrueshmëri masa duket më të lartë. Por duhet të dimë se infektimi nuk ndodh në rrugë, në plazh, por ndodh në ambiente të mbyllura, të cilat në verë janë me ajër të kondicionuar. Nuk besoj se nëse dalim sot në 35 gradë ne rrezikojmë, por në ambiente të mbyllura rreziku është më i lartë.
Studimet e fundit kanë treguar se rrezet ultraviolet , sidomos UVC, shkatërrojnë koronavirusin. Kanë bazë studime të tilla?
Sulçebe: Kam lexuar se kanë një efekt vrasës të shpejtë ndaj virusit, por nuk mund të them se cilat nga këto valë.
Mund ta mbushim infektivin me rreze UVC?
Sulçebe: Problemi është se ato që shkojnë aty e kanë marrë virusin. Pra aty i vetmi mjet është maska, izolimi fizik.
Vaksina e turbekulozit mund të ishte faktor që mund të rriste imunitetin kolektiv të vendeve të Ballkanit. Sot po shohim që kanë një rritje të lartë të prekjes në këtë shpërthim të dytë epidemik. Ka pasur bazë të mendohet se TBC mund të rriste imunitetin?
Sulçebe: Vazhdon të mbështetet nuk është hedhur poshtë. Por vdekshmërinë e kemi shumë më të ulët se vendet e tjera.
Duhet të dimë se vaksina e turbekulozit është përdorur gjerësisht në moshat mbi 40-vjeç. Kjo mund të jetë një nga arsyet që ne vdekshmërinë e moshave mbi 60 vjeç e kemi më të mbrojtur. Teoria e imunitetit e trajnuar është një teori që qëndron në këmbë.
Kush ju financoi për studimin?
Sulçebe: Patëm fatin që u mbështetën nga Akademia e Shkencave e cila ngriti menjëherë problemin, duke pasur një debat se çfarë kontributi mund të jepte Akademia e Shkencave për këtë epidemi. Hodhëm idenë se një gjë e shpejtë për tu realizuar ishte ky studim. Patëm një mbështetje shumë të shpejtë për projektin.
Sa kushtoi mbështetja financiare e Akademisë?
Sulçebe: Nuk ka kushtuar më shumë se 3 mijë e 500 euro. Shpenzimet e tjera të mjeteve të konsumit nuk shkuan më tej se kaq./abcnews.al/