“5D” në gjykatë/ SPAK mbyll hetimet për ish drejtorët e bashkisë së Tiranës

schedule19:09 - 26 Dhjetor, 2024

schedule 19:09 - 26 Dhjetor, 2024

Prokuroia e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen 5D, ku ishin të përfshirë rezultojnë ish-drejtorë dhe zyrtarë të bashkisë së Tiranës. Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që 7 ish-zyrtarët të gjykohen për akuzat e korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera, pastrimit të parave dhe fshehje të pasurisë.

Nga hetimet ka rezultuar se pandehurit Redi Molla dhe Mariglen Qato, që po hetohen me masën e arrestit në burg, në kohën që kanë mbajtur postin e drejtuesit të UKT, kanë qenë pronarë të fshehtë të shoqërisë “5D Konstruksion” duke përdorur ortakë fiktivë.

Qato e Molla janë marrë të pandehur për korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, fshehje dhe mos deklarim të pasurisë dhe pastrim parash.

Sipas SPAK, kompania 5D, rezulton se ka përfituar në mënyrë të parregullt 12 tendera publikë në vitet 2016-2020, duke shkelur rregullat e prokurimit për të përfituar në kundërshti me ligjin rreth 193 milionë lekë.

Në të njëjtën kohë SPAK thotë se, shoqëria “5D” ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke u favorizuar nga ish-drejtori i punëve publike Taulant Tushe që mbahet në qeli.

Tushe akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe shkelje në tendera të kryer në bashkëpunim me anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Ndërsa përfitimet monetare që janë siguruare në mënyrë të pa ligjshme janë përdorur për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare të cilat tashmë janë vënë në sekuestro.

Po kështu, SPAK ka veçuar hetimet dhe po punon për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë përfituar nga tenderat që ka përfituar shoqëria 5D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!