E diela ishte e “zezë” në Gaza, pasi 42 palestinezë u vranë nga sulmet e Izraelit dhe 1200 mbetën të plagosur. Deri tani nga konflikti që ka një javë që ka rinisur janë mbi 200 viktima, ndërsa njerëzit jetojnë me frikë.
Në të njëjtën kohë, thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim janë në rritje, me Francën dhe Egjiptin që kërkojnë fundin e armiqësive, por duket shumë e vështirë që të ndodhë.
Mëngjesin e së hënës forcat ajrore izraelite goditën Rripin e Gazës brenda pak minutash duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se bombarduan “metronë” e Hamasit, tunelin nëntokësor të organizatës palestineze disa kilometra të gjatë.
“35 objektiva të Hamasit u sulmuan brenda 20 minutash” tha ushtria izraelite në një deklaratë. Sulmi u realizua me 54 avionë luftarakë, të cilët lëshuan rreth 110 raketa dhe municione precize, duke goditur ndër të tjera edhe tunelin nëntokësor të gjatë 15 kilometra.
“Ne kurrë nuk kemi parë goditje të kësaj shkalle“, tha Mad Abed Rabou 29 vjeç, i cili jeton në pjesën perëndimore të Gazës, duke shprehur tmerr dhe frikë.
“Unë kisha përshtypjen se do të vdisja” tha Mani Kazat, një tjetër banor i Gazës. “Netanyahu duhet të mbajë përgjegjësi, ne jemi civilë, jo ushtarakë” shtoi ai.
Mbi 200 palestinezë janë vrarë që nga 10 maji, duke përfshirë të paktën 58 fëmijë dhe më shumë se 1200 persona janë plagosur. Nga ana izraelite, autoritetet thonë se 10 persona janë vrarë duke përfshirë 2 fëmijë, 282 janë të plagosur./ Abcnews.al