51 raste me fruth këtë vit, ISHP raporton në komision

schedule10:27 - 5 Shkurt, 2019

schedule 10:27 - 5 Shkurt, 2019

Problematik prej më shumë se një muaji është bërë dhe virusi i fruthit. Sipas ISHP-së, 51 persona janë prekur këtë vit nga fruthi. Ndërkohë mjekët bëjnë apel për vaksinimin e nevojshëm.

Të gjithë duhet ta kthejnë kokën për masat e parandalimit të fruthit. Thirrjen e drejton shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino në Komisionin e Shëndetësisë.

“Natyrisht fruthi është një sëmundje që parandalohet vetëm kur mbulesa vaksinale është mbi 95%. Mbulesa maksimale në Tiranë ka rënë në masën 75%. Janë blerë gati 60 mijë doza shtesë jashtë programit të vaksinimit me një kosto që shkon te 170 mijë dollarë”, tha Bino.

Nga viti 2018 deri në Janar 2019 janë 1367 raste të konfirmuara me fruth nga 2700 të dyshuara. Silva Bino u shpreh se nga rastet e shënuara, ka pasur tre vdekje në 2018 dhe një në Janar 2019. Rrethi më i prekur është Tirana.

“Kur kemi bërë analizën e vitit 2018 rrethet më të prekura përveç Tiranës kanë qenë Kukësi, ka qenë Lezha dhe më pas Durrësi dhe Vlora”, tha ajo.

Grupmosha më e prekur e kësaj sëmundje infektive janë foshnjet nën dy vjeç, që përbëjnë rreth 45.1 për qind e rasteve të konfirmuara, pjesa më e madhe e të cilave në kryeqytet. Vetëm në javën e fundit janë regjistruar 10 raste të reja me fruth duke e çuar numrin në 51 në total.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!