50 mln euro pasuri të sekuestruara nga krimi në një vit, eksperti: “Burimi”, aktivitetet jashtë

schedule18:05 - 19 Shkurt, 2022

schedule 18:05 - 19 Shkurt, 2022

Nga Xhensila Kodra

Gjatë vitit 2021 në vendin tonë janë sekuestruar 50 milionë euro pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare, sit ë krijuara nga aktivitete kriminale. Profesori i Kriminologjisë në Universitetin e Tiranës, Ervin Karamuço shprehet se grupet kriminale që operojnë jashtë vendit, paratë i investojnë në Shqipëri, kryesisht në ndërtim.

“Ekziston prej vitesh një tendencë e shtuar e grupeve kriminale të cilët, të gjithë ato para që kanë i sjellin në rrugë nga më të ndryshme, qoftë tokësore, qoftë ajrore në drejtim të Shqipërisë për t’i investuar për asete.

Shumica e këtyre parave që sekuestrohen fillimisht nga ana e organeve ligjzbatuese shqiptare, vijnë nga grupe të huaja që operojnë si grupe kriminale në vende të huaja por që janë shqiptarë. Mënyra se si po pastrohet para në Shqipëri po i referohem këtu ndërtimit, dhe ne duhet të shtojmë shumë hetimet proaktive ndaj të gjitha këtyre investimeve për të parë dhe burimet e ligjshme të tyre”.

Karamuço thotë se Shqipëria ka mungesë të ekspertëve të mirëfilltë për të hetuar skemën e pastrimit të parave.

“Ne kemi një krizë të madhe të ekspertëve të mirëfilltë për të hetuar dhe për të nxjerrë konkluzione nëse jemi përpara një skeme të pastrimit të parave në raste konkrete ose jo. Edhe prokuroria e ka vënë re, madje ka edhe disa iniciativa nga partnerët ndërkombëtarë për të specializuar persona të veçantë me skemat e reja se sip o pastrohet para sot në Evropë dhe sa të rrezikuar jemi ne më pas për të përballuar këto lloj skemash në territorin shqiptar për të identifikuar dhe dënuar autorët”, shprehet ai.

Një pjesë e personave që u është sekuestruar pasuria, disa prej të cilave i kishin të regjistruara edhe në emër të personave të tretë, vijojnë betejën në gjykatë, e cila vendos nëse ato konfiskohen ose jo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!