48 orë që nuk zgjidhin asgjë

schedule09:43 - 2 Mars, 2023

schedule 09:43 - 2 Mars, 2023

Nga Skender Minxhozi
Nëse do të mjaftonte një seancë pyetjesh me kryeministrin e vendit dhe një ditë më pas një vendim gjyqi, për të ringritur një opozitë nga gropa ku ka rënë me duart e saj prej një dekade, marrja e pushtetit do të kishte qenë një punë fort e lehtë. Do të mjaftonte një listë e gjatë oratorësh që do të bllokonin foltoren e Kuvendit dhe një dorë e ngritur nga ndonjë gjykatës nga ata të plepave, për t’u rikthyer në pushtet.

Asgjë e tillë nuk pritet të ngjasë në dy ditët e nxehta politike, dy dhe tre mars, që Shqipëria do të kalojë pas pak orësh. Do të ketë shumë tym, por jo zjarr. Do të ketë shumë zhurmë, ulërima e kërcënime, por pak ose aspak rezultat. Dy datat e mësipërme nuk do të jenë fundi i Ramës e as fillimi i Berishës. Sepse ndër të tjera, koncepti i fillimit për këtë të fundit ka prej kohësh dimensionet e një barcalete nga ato që të bëjnë të qeshësh fort e me zë të lartë.

Në dy dhe tre mars nuk do të ndodhë asgjë e mirë për opozitën, gjendjen e saj, të tashmen dhe të ardhmen drejt të cilës po shkon. Sepse nuk është ky itinerari i një suksesi politik dhe as shtegu që të çon drejt pushtetit.

Seanca e pyetjeve me Edi Ramën në lidhje me çeshtjen McGonigal ka të gjitha tiparet e një ecjeje në tym, për sa kohë që dinamika e ngjarjeve, roli i personave të përfshirë në të dhe implikimi i pretenduar i shtetit shqiptar janë që të gjitha nocione flu, pa prova, por vetëm akuza të kënduara me zë kumbues dhe retorikë kërcënuese në mediat e Tiranës apo në podiumet e politikës së saj.

Vetë procesi ndaj McGonigal, siç u deklarua nga autoritetet amerikane, do të jetë i mbyllur për publikun, çka do të pengojë filtrimin e fakteve që do të mund të ndihmonin ndonjë vatër zjarri në politikën shqiptare. Berisha do të bëjë zhurmë në parlament për 12 orë rresht, por në fakt vetë afera McGonigal ka kohë që lakohet në ambjenti shqiptar dhe impakti i saj politik ka qenë minimal. Mjafton të shihni protestat modeste që opozita u përpoq të organizojë në lidhje me këtë skandal.

Një ditë pas zhurmës për agjentin amerikan që “donte të eleminonte opozitën”, Berisha dhe Alibeaj do të përballen në një tavolinë gjykatësi për stemën dhe vulën e partisë. Me gjasë në 3 mars Partia Demokratike do të njohë “atësinë” e saj zyrtare, duke u regjistruar në favor të njërit apo tjetrit kamp. Mundësia që Berisha të bëhet pronari me letra i partisë, duket sikur e shbllokon impasin ku ka hyrë çeshtja e simboleve të PD që nga 8 janari i një viti më parë.

Në fakt nuk është kështu. Lufta e gjelave që Rithemelimi dhe ajo çka mbetet nga PD e Lulzim Bashës po zhvillojnë për vulën dhe stemën, vetëm sa i kalon anash problemit bazë që ka sot PD. Dhe që ka të bëjë me atë çfarë pritet të ndodhë me këtë parti në katër mars e tutje.

Kriza në PD nuk lidhet me përkatësinë e vulave në njërën apo tjetrën zyrë. Ajo nuk ka lidhje me emra të përvetshëm, por me një proces të ndërprerë ende pa nisur të rinovimit dhe rotacionit në parti. Rikthimi i dhunshëm i Sali Berishës ka bllokuar shanset jetike të identifikimit të një lidershipi dhe kursi të ri në parti. Duke u përpjekur ta rimarrë partinë e tij në gjykatë teksa ndodhet në muzgun e karrierës së vet personale, Berisha po konfirmon se i duhet stema, e jo fati i PD. Vendosja e PD në duart e njeriut që ndodhet sot i skeduar në vendet më të mëdha perëndimore, shënon fillimin e një fundi të dhimbshëm për këtë forcë politike.

Në anën tjetër, nëse PD kalon në duart e pasuesve të Bashës, do të kemi sërish një prapakthehu tek e vjetra, tek ai lidership që është përgjegjës për katër humbje të mëdha elektorale pas vitit 2013 kur PD doli në opozitë. Marrja në dorë e frenave nga kuadrati laraman i Alibeajt, me Bashën pas perdes, do ta banalizojë edhe më tej situatën në parti, duke nisur nga përfaqësimi në zgjedhjet e 14 majit, ku votuesit demokratë do të mësojnë fjala vjen, se papritur Belind Këlliçi nuk do të jetë më kandidati zyrtar i PD përballë Veliajt, por në vend të tij do të shfaqet një emër i minutës së fundit që Alibeaj-Basha do ta nxjerrin nga mënga teksa Ilirian Celibashi do të jetë duke i vënë drynin derës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Dy ditët e ardhshme janë një moment kulmor jo i fatit të opozitës, por i parodisë së saj dhjetëvjeçare. As McGonigal e as gjykatat nuk e shpëtojnë dot më këtë fat që u rrënua nën kacafytjen makabre të 8 janarit në muret e selisë së partisë. Meqë ra fjala, kjo e fundit gjithashtu mund të ketë një fat cinik në 3 mars nëse vula kalon tek Alibeaj. Siç e ka provuar edhe më parë në 32 vitet e fundit, Doktori s’e ka zakon t’i lirojë godinat e zaptuara…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!