Një hulumtim i publikuar nga komuna e Prishtinës nxjerr në pah se rreth 47 për qind e qytetarëve të kryeqytetit kanë qenë të prekur nga COVID-19, që nga shfaqja e këtij virusi në pranverën e vitit të kaluar.
Hulumtimi i kryer me 1255 qytetarë të Prishtinës, sipas kryetarit të komunës Shpend Ahmeti do të ndihmojë hartimin e politikave për të ardhmen.
“Nga ky hulumtim na del që gati gjysma e qytetarëve të Prishtinës e ka pasur tashmë virusin COVID. Po e them sepse nga diskutimet që bëhen për imunitetin e tufës thuhet se diku 70 për qind veç se krijohet një imunitet por definitivisht kur e shohim që ky hulumtim është kryer në muajin maj dhe qershor të këtij viti kur e shohim këtë dhe shohim numrat e COVID në Prishtinë del në fakt që numrat kanë rënë, që nuk e kemi më, vala e pandemisë ka përfundu por definitivisht një prej arsyeve kryesore se pse nuk kemi numra të lartë është faktikisht se kemi një përqindje të madhe të njerëzve që e kanë kalu COVID-in”, tha zoti Ahmeti.
Sipas studimit të kryer në periudhë tetor – dhjetor të vitit të kaluar del se 48 për qind e punonjësve shëndetësorë qenë të prekur nga COVID-19 nga i cili ishin prekur edhe 21 për qind e punonjësve të administratës komunale.
Zoti Ahmeti thotë se kujdesi duhet të vazhdojë.
“A kemi arrit edhe pse hezitojmë gjithmonë, imunitetin e tufës që është përmendur gjithkund nëpër botë, hezitojmë ta përmendim sepse ende nuk ka konkludime të sakta mbi atë se çka përbën një imunitet i tufës duke e ditur që variant i COVID-it po ndërron gati çdo muaj edhe pse për shembull sot e dimë që në SHBA gati e gjithë popullata e ka marr së paku nga një vaksinë ata vazhdojnë të frikësohen se në muajt në vijim të del apo rrezikohen nga ky varianti i ri që ka dal Delta i COVID-it”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë konfirmoi këtë javë dy raste të të prekurve me variantin delta të koronavirusit. I identifikuar fillimisht në Indi, në dhjetor të vitit 2020, varianti delta është klasifikuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçohet si i tillë, meqë cilësohet simë ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave.
Konfirmimi ndodhi në një periudhë rënieje të numrit të përgjithshëm të të prekurve nga koronavirusi.
Të premten Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë raportoi 17 raste të infektimit pas 1 mijë e 241 testeve dhe dy raste të vdekjes nga pasojat e koronavirusit.
Deri të premten janë dhënë 196 mijë e 829 doza të vaksinës.
Kosova deri tash ka zhvilluar fushatën e vaksinimit përmes donacioneve të siguruara nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shpërndan vaksina për vendet e varfra, apo nga Bashkimi Evropian.
Qeveria e Kosovës është zotuar që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë./VOA