45 sekondat e masakrës në Greqi, publikohet audio regjistrimi nga ekzekutimi i 6 personave

schedule10:01 - 12 Shtator, 2023

schedule 10:01 - 12 Shtator, 2023

Gjashte persona që u ekzekutuan me breshëri plumbash pasditen e së hënës në Luca të Greqisë ishin turq. Autoritetet greke kanë njoftuar se viktimat ishin të pajisur me karta të identitetit franceze, teksa në automjetin e tyre janë gjetur edhe pasaporta të tjera false.

Në vendngjarje janë gjetur 60 gëzhoja që i përkasin një pistolete 9 milimetrash. Mediat helene kanë publikuar një audio ku dëgjohen për 45 sekonda të shtënat pa ndërprerje.

Masakra ka ndodhur në një zonë pranë Athinës rreth orës 18.41 të së hënës. 5 nga viktimat janë gjetur të pajetë brenda mjetit, ndërsa shoferi është gjetur jashtë makinës, në tentativë për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave.

Asnjë nga gjashtë viktimat nuk u gjet me precedentë penalë në Greqi, ndërsa ajo që ka tërhequr vëmendjen është fakti që në viktimat nuk ishin të armatosur.

Policia greke po heton dy skenarë në lidhje me këtë masakër: I pari që është edhe më kryesori për ta, është që autorët i bënë pritë viktimave dhe gjetën vendin “ideal”, një zonë të izoluar.

Dhe versioni i dytë është se bandat njiheshin me njëra-tjetrën, kanë pasur një takim dhe për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të kenë pasur kanë “shpërthyer” dhe të shtënat me armë. Në arrati autorët kanë marrë edhe armët e viktimave.

Autoritetet policore po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!