Policia e Tropojës ka reaguar pasi një automjet që iu vodh ministrit të Mjedisit në Kosovë u tentua të kalohej në pikën kufitare të Morinës nga autori i vjedhjes. Sipas asaj që njoftohet, bëhet fjalë për një 43-vjeçar me iniciale B. S., banues në Obiliq, Kosovë.
Automjeti tip “Audi A3” me drejtues 43-vjeçarin u kalua në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm gjatë kontrolleve me përzgjedhje në kufi. Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror.
43-vjeçari u vu në pranga për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, ministri të Mjedisit të Kosovës, Liburn Aliu, iu vodh makina gjatë mëngjesit të së mërkurës. Ka qenë vetë shoferi i ministrit Aliu, i cili ka denoncuar vjedhjen e makinës në mëngjes në polici. /abcnews.al/