Autoritetet spanjolle kanë bërë sot të ditur se me finalizimin e një operacioni anti-drogë kanë goditur një grup ndërkombëtar të trafikimit të kanabisit. Raportohet se organizata e goditur përbëhej nga shtetas shqiptarë që vepronin në perëndim të Almerisë.
Drejtuesja e Gardës Civile María Gámez bëri të ditur se me finalizimin e operacionit u vunë në pranga nëntë persona si dhe u sekuestruan 400 kg hashash, që do të transportohej në Itali me transport rrugor.
Ndërkohë, kërkime janë bërë në Aguadulce dhe Vícar, ku ishin vendosur autorët dhe prej nga drejtonin dhe koordinonin aktivitetet e tyre kriminale. Nga hetimet, sipas Gámez, rezulton se të arrestuarit ishin pjesë e një fraksioni të një organizate ndërkombëtare me lidhje me mafien italiane, me “Sacra Corona Unita”.
Operacioni ka nisur në prill të vitit të shkuar kur në një pikë kontrolli në autostradën A-92, policia arrestoi një person që po transportonte 26 kg kanabis.
Me vijimin e hetimeve, agjentët zbuluan se pas këtij rasti fshihej një rrjet kriminal i organizuar dhe tepër i specializuar, i cili kishte burime të konsiderueshme ekonomike dhe njerëzore dhe se kishte kontaktet e nevojshme për të kapur një pjesë të konsiderueshme të tregut. s.b/abcnews.al/