392 milionët dhanë efekt: Shkodra në festë, Vllaznia merr licencën për Europën

schedule18:39 - 15 Prill, 2021

schedule 18:39 - 15 Prill, 2021

392 milion lekë të vjetra, kaq iu deshën Vllaznisë të paguante për të bërë një marrëveshje me Tatimet dhe tashmë FSHF i ka gëzuar me dhënien e licencës për të marrë pjesë në kupat e Europës.

Pjesëmarrja është një hap pranë, pasi një ditë më parë ekipi kuqeblu u kualifikua në finalen e Kupës së Shqipërisë. Për Vllazninë do të mjaftonte edhe vendi i katërt në kampionat dhe me gjasa do të jetë formalitet garimi në arenën ndërkombëtare.

Vitet e fundit ka qenë ekipi i femrave që bënte krenare Shkodrën dhe sërish vajzat kuqeblu janë licencuar dhe pritet të luajnë sërish në kualifikueset e Champions League, pasi titulli kampion edhe sivjet do të bëhet i tyre.

Lajmin e mirë e ka dhënë kryebashkiakja Voltana Ademi, që në rrjetet sociale ka publikuar dhe dokumentet, ndërkohë që shkruan: “Dua të ndaj me të gjithë një lajm fantastik: Ekipet e Vllaznisë, të vajzave dhe djemve, janë licencuar për pjesëmarrjen në Kupat e Europës!

Është kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të disa faktorëve, të cilët unë dua t’i falënderoj me zemër! Pavarësisht pengesave, të gjithë bashkë ne i kapërcyem ato, duke plotësuar kriteret e licencimit të vendosura nga UEFA”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!