38% e amerikanëve pro vendimit të Biden për tërheqjen e trupave amerikanë

schedule13:50 - 31 Gusht, 2021

schedule 13:50 - 31 Gusht, 2021

Më pak se 40% e amerikanëve miratojnë vendimin Joe Biden për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani dhe tre të katërtat e të anketuarve do të donin që forcat amerikane të qëndronin në vend,  sipas një sondazhi të Reuters / Ipsos.

Sondazhi mbarëkombëtar, i kryer nga data 27-30 gusht, nxori në pah se 51% nuk ​​e miratojnë qasjen e Biden për tërheqjen e trupave amerikanë, ndërsa 38% ishin pro. Shtetet e Bashkuara përfunduan tërheqjen e trupave të tyre nga Afganistani dje, dy dekada pas pushtimit të vendit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë evakuuar më shumë se 122,000 persona nga Afganistani që nga 14 gushti, përfshirë amerikanët dhe afganët që i ndihmuan gjatë luftës 20-vjeçare.

Ndërkohë Uashingtoni do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të evakuuar personat që kanë mbetur në vend. Në sondazhin, i cili u përfundua pak para se trupat e fundit amerikane të largoheshin nga Afganistani, 49% thanë se ushtria amerikane duhet të qëndrojë në Afganistan “derisa të largohen të gjithë civilët amerikanë dhe aleatët e tyre afganë” dhe 25% thanë se forcat amerikane duhet të qëndrojnë derisa të gjithë qytetarët amerikanë të kenë mundësi të largohen.

Vetëm 13% thanë se trupat amerikanë duhet të largohen menjëherë. 10% e të anketuarve ia atribuojnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë ish -Presidentit George W. Bush, i cili urdhëroi pushtimin dy dekada më parë, ndërsa 9% ish Presidentit Donald Trump, i cili vitin e kaluar negocioi një tërheqje të forcave amerikane.

Një pjesë tjetër 30% fajësoi “lojtarët” e tjerë në rajon, përfshirë talebanët, ushtrinë afgane, udhëheqësit ushtarakë amerikanë dhe ISIS-K, të cilët morën përgjegjësinë për bombardimin e aeroportit të Kabulit javën e kaluar,  e cila i kushtoi jetën 13 ushtarëve amerikanë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!