31-vjeçarja mbahet e lidhur me zinxhirë, shteti reagon pas denoncimit të rastit në “ABC”

schedule16:21 - 27 Korrik, 2022

schedule 16:21 - 27 Korrik, 2022

Institucionet vendore u zgjuan pas transmetimit në Abc të historisë 31-vjeçares të sëmurë mendore, që mbahet e lidhur me zinxhirë në Zheje të Kurbinit. Nëna e saj Marta Cacurri tregon se disa zyrtarë i shkuan në banesë.

Është paradoksale që nuk i dhanë asnjë zgjidhe për vajzën të cilën edhe e vizituan. Vetëm I premtuan se do ti ndërtojnë shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti.

“Ato të bashkisë më pyetën çfarë do për fëmijët e sëmurë. I thashë të më rritet pagesa. Me erdhi dhe ajo që bën borderotë e fëmijëve të sëmurë e Mamurrasit. Më mbrapa më erdhën për ndërtimin prej Lezhe”, tha zona Cacurri.

Shtëpinë ja shembën mbrëmjen e kaluar. Në kontejner fjetën dy vajzat me fëmijë, që kishin shkuar për të vizituar nënë dhe motra. Ndërsa nëna dhe tre vajzat e tjera fjetën në oborr.

Siç duket dhe nga pamjet vajzën e sëmurë e ka lidhur me zinxhir tek krevati.

“Edhe këtu jashtë e lidh se ikën”, shtoi nëna.

Lexo edhe: Historia e 31 vjeçares të lidhur me zinxhirë merr vëmendjen e avokatit të njohur: Turp e faqe zezë

Për 31-vjeçaren, jo vetëm që nuk I është dhënë ndihmë ende, por zyrtarët I kishin tërhequr vëmendje që kishte folur në abc.

”Po më thanë pse thirre gazetarët, ju e bëtë këtë punë mos ishit ju s’do bëhej gjë se kisha bërë kërkesa dhe bashkia nuk lëvizte fare. Kur erdhët ju erdhi bashkia”, tha Cacurri.

E pafuqishme për të mbajtur në kontroll vajzën e sëmurë, pasi është agresive nëna kërkon që institucionet ta ndihmojnë, që 31-vjeçarja të qëndrojnë në një qendër rezidenciale ose të mjekohet në spital.

“Për Zotin kam vuajtur shumë me të, kur nuk e lidhja. Merret gurë gjuante, ka tërhequr furrën me gjithë kabllo. Nuk kam më takat kjo bërtet natë e ditë, në spital do ishte më mirë, I bën kurat më mirë, po unë s’jam në gjendje ta çoj në spital jam shumë e lodhur”, tha nëna.

Abc u interesua tek Shërbimi Social i Qarkut Lezhë. Mësuam se i kanë dërguar një kërkesë ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, që vajza e sëmurë të dërgohet në qendrat rezidenciale të shëndetit mendor apo në një spital psikiatrik.

Deri tani nuk është marrë asnjë masë dhe 31-vjeçarja vijon të jetojë e lidhur me zinxhir./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!