Një sasi prej më shumë se 32 kilogramë kanabis është sekuestruar në një aeroport në Turqi, ndërsa në pranga janë vënë dy shqiptarë.
Sipas mediave turke, droga është gjetur e paketuar në dy valixhe që posedoheshin nga shqiptarët dhe avioni që u ul në pistën e aeroportit “Sabiha Gökçen” të Stambollit ishte nisur nga Shqipëria.
Ende nuk dihen emrat e personave të arrestuar, ndërsa valixhet I janë nënshtruar kontrollit të imtësishëm dhe më pas u zbulua edhe sasia e lëndës narkotike.
Valixhet u mbajtën nën vëzhgim deri sa u tërhoqën nga dy personat që I posedonin. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, në një tjetër operacion që ishte në vazhdën e këtij të fundit u gjet një tjetër sasi lëndë narkotike, por këtë radhë e llojit amfetaminë. Sasia prej 33 kilogramë lëndë narkotike, u zbulua në një avion mallrash që kishte mbërritur tranzit në Turqi përmes postës.
Porositësi dhe marrësi i lëndës narkotike e llojit amfetaminë janë shtetas të huaj. Mësohet se ngarkesa e dërguar i është nënshtruar kontrollit të detajuar dhe në kërkim janë përfshirë edhe qen detektues narkotikësh. Operacionet janë kryer dy ditë më parë, por të dhënat u bënë publike nga autoritetet ditën e shtunë.
/abcnews.al/