Eris Hana, këshilltar ligjor pranë ministrisë së Drejtësisë ka thënë se Danimarka ka kërkuar nga Kosova investime në infrastrukturën e Shërbimit Korrektues para se 300 të burgosur danezë të transferohen në burgun e Gjilanit si pjesë e marrëveshjes mes dy shteteve, raporton Gazeta Express.
Hana ka folur për gazetën amerikane The Edwardsville Intelligence ku ka thënë se danezët pas një hulumtimi kanë ardhë në përfundim që Kosova ka kapacitet për të pranuar 300 të burgosur.
Ai po ashtu ka thënë se danezët kanë kërkuar investime në infrastrukturë. “Ne duam të krijojmë standardet e njëjta për ta dhe do ta arrijmë atë” tha Hana duke iu referuar standardeve të burgjeve të Danimarkës.
Një gardian danez do ta drejtojë punën në burgjet me qira për të burgosurit danezë, i shoqëruar nga një shqiptar dhe staf tjetër vendas. Marrëveshja pritet të nënshkruhet në fillim të vitit të ardhshëm dhe dy parlamentet duhet t’a ratifikojnë atë.
“Një nga përfitimet më të fuqishme dhe më të mëdha është se ne po e rikthejmë Mbretërinë e Danimarkës si partner strategjik për Republikën e Kosovës dhe ne po i bëjmë ata njërin nga donatorët tonë më të fuqishëm”, tha Hana.
Ministria e Drejtësisë është pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar. Nga kjo marrëveshje 10 vjeçare Kosova do të përfitojë rreth 210 milionë euro./Express