Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një lidhje direkte në studion e “Opinion”, tha se vendimi për hapjen e shkollave erdhi pasi risku që mbarte e kundërta ishte shumë më i madh se vetë problematika e pandemisë.
Manastirliu deklaroi se që nga nisja e pandemisë, numri i fëmijëve të prekur nga virusi është 300 raste dhe aktualisht janë 44 fëmijë pozitivë aktivë, prej të cilëve vetëm 4 ndodhen në spital.
“Duke vlerësuar situatën vendosëm të vazhdonim me rihapjen e shkollave, pasi risku që do të kishim nëse shkollat nuk do të hapeshin, do të ishte shumë më i madh se vetë problematika që do të shkaktonte pandemia, nisur nga problematikat e zhvillimit emocional e psikologjik të fëmijëve. Përgjatë gjithë periudhës së epidemisë, nga data 8 Mars e deri më sot, janë rreth 300 fëmijë të moshës 0 deri në 18 vjeç, të cilët janë infektuar me Covid-19. Aktualisht që flasim 44 janë fëmijë pozitivë aktivë dhe vetëm 4 prej tyre gjenden në spital, të cilët po marrin trajtim mjekësor”, u shpreh ministrja./abcnews.al