3 vëllezër në Shijak shkatërrojnë lokalin, kërcënojnë me armë fallso pronarin dhe në fund e godasin me çekiç

schedule14:19 - 10 Qershor, 2023

schedule 14:19 - 10 Qershor, 2023

Tre vëllezër në Shijak kanë shkatërruar një lokal, më pas kanë kërcënuar me armë fallso pronarin e tij dhe në fund e kanë goditur atë me çekiç. Si pasojë, ka ndërhyrë policia, e cila ka arrestuar vëllain 27-vjeçar dhe dy të tjerët janë proceduar penalisht.

Sakaq, mësohet se gjithçka ka nisur për shkak të një konflikti  për motive të dobëta.

Njoftimi i Policisë:

Kërcënuan me armë imituese, pronarin e një lokali, e goditën atë me send të fortë (çekiç), si dhe i dëmtuan ambientet e lokalit, si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, kapet dhe arrestohet 27-vjeçari, si dhe procedohen penalisht 2 vëllezërit e tij.

Sekuestrohen arma imituese, sendi i fortë (çekiç) dhe një automjet.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së informacionit, për një konflikt për motive të dobëta, të ndodhur në një lokal në Shijak, kanë organizuar punën për të neutralizuar konfliktin dhe për të arrestuar shtetasit përgjegjës.

Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin  27 vjeç, banues në Shijak, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 vëllezërit e tij, shtetasit 32 vjeç, 27 vjeç, gjithashtu banues në Shijak.

Nga këto veprime rezultoi se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë kanosur me armë imituese, shtetasin M. Rr., 29 vjeç, banues në Shijak (pronar i një lokali në Shijak), e kanë goditur atë me send të fortë (çekiç), si dhe kanë thyer xhamat e lokalit në pronësi të tij.

Sendet e kundërligjshme që u përdorën për kryerjen e këtij krimi, si dhe automjeti i këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!