3 të vrara në Tiranë/ Gjikondi: Dan Hutra duhet të ishte dënuar përjetë, rastet e dhunës ndaj grave nuk merren seriozisht

schedule19:32 - 1 Mars, 2023

schedule 19:32 - 1 Mars, 2023

Juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në Abc News, drejtoi gishtin nga institucionet për vrasjet e ndodhura sot në Tiranë, ku Dan Hutra vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera. Juristja theksoi se autori duhet të ishtë dënuar përjetë pasi ka vrarë gruan e tij shumë vite më parë dhe ka përdhunuar gjithashtu edhe kunatën.

“Hutra është pjellë e shoqërisë shqiptare. Është një shqiptar që ka kaluar fëmijërinë dhe rininë në ambient të dhunshëm. Të mendosh që ka vrarë bashkëshorten, ka përdhunuar kunatën edhe sot është i lirë, është një vrasje e paralajmëruar. Gruaja shqiptare shihet si objekt, ka edhe ajo pjesën e vet të mëkatit, por ne si shoqëri kemi stimuluar qenien si objekt.

Të mendosh se ai ka qenë i lirë sepse ka pranuar gjykim të shkurtuar për vrasjen e gruas së tij, përdhunimin. Ai në vend që të ishte me burgim të përjetshëm ai ka dalë. Ka pasur disa denoncime për dhunë në familje, edhe para një muaji dhe askush nuk e ka marrë seriozisht.  Policia shqiptare është një polici maskiliste.

Përpiqemi të merremi me tragjedinë dhe pasojën por se si arriti të degradonte situata deri këtu.”, tha ajo duke shtuar se vrasjet e ndodhura në Shqipëri janë kryesisht të paralajmëruara ndaj kërkoi më shumë vëmendje.

“Ke pafund gra të dhunuara në çdo cep të Shqipërisë që policia nuk i merr seriozisht. Jo vetëm kjo vrasje, por edhe shumë të tjera, gati të gjitha janë të paralajmëruara. Edhe korrespondetja po thoshte që edhe kur e kishte grabitur dhe plagosur më thikë nuk kishte pasur kurajo të tregonte në polici sepse nuk është marrë seriozisht.

Këta njerëz me kartelë duhet t’i administrojë shteti. Po të shihet ligji për dhunën në familje, ka detyra të sakta të policisë, ministrisë së brendshme, dhe nëse do të funksiononte do të kishim një panoramë tjetër sot. Ajo që ka ndodhur sot, autori në kohën e ’97 ka qenë adoleshent.

Kemi një politikë të dhunshme, me gjuhë të dhunshme, një media që promovon konfliktin dhe gruan si objekt seksi. Kemi një dhunë dhe stimulim dhe ideolizim të njerëzve të dhunshëm.“, tha ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!