3 ditë nga zgjedhjet, Nazarko: Rinia do ndryshim, vala e Kosovës edhe këtu…

schedule22:28 - 22 Prill, 2021

schedule 22:28 - 22 Prill, 2021

Partitë politike kanë edhe 24 orë kohë për të bërë fushatë, pasi e shtuna është heshtje zgjedhore dhe të dielën fjalën e kanë qytetarët shqiptarë për të zgjedhur Kuvendin dhe qeverinë e re. Por si ishte kjo fushatë, cfarë spikati dhe kush gaboi?

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në studion e emisionit “Log.” përballë gazetarit Endri Xhafo bëri një skanim të 30 ditëve të fushatës elektorale dhe dy kandidatëve për kryeministër për 4 vitet e ardhshme, Bashën që kërkon të marrë drejtimin e qeverisë dhe Rama që ka objektiv mandatin e tretë.

Fushata e të dy palëve, në përqindje në kohë dhe cilësi ishte e fokusuar, të ikë ai dhe të mos vijnë ata. Kjo ishte pjesa më irracionale e fushatës.

Kur flasim për fokusimin te tërmeti dhe pandemia, e quaj deri diku të drejtë, ndonëse ato nuk kishte pse zinin një vend kaq të madh. Të përballesh me pandeminë apo tërmetin është test për administratën. Ti referohesh një problemi që prek të gjithë. Tërmeti nuk ka prekur të gjithë, por ishte test për efektivitetin e administratës.

Kjo ishte një fushatë e cila duhet thënë, për shkak të pjesës më të madhe të kontributit të opozitës nuk ishte agresive. Edhe mund të ishte, sepse përballë opozitës është Rama që kërkon një mandat të tretë, që është një objektiv utopik, por opozita ka mbajtur një profil jo aq shumë agresiv sa do të mund të ishte nëse do të ishte në krye të opozitës Sali Berisha.

Kjo pjesë ka ndikuar në rritjen e kuotave të Bashës te një pjesë e elektoratit gri, pse jo edhe te rinia, e cila do ndryshim. Sado kudo, pavarësisht kontekstit të ndryshëm, ajo vala e Kosovës, ideja e ndryshimit vjen nga pak edhe këtu.

Ndërkohë që Rama është përpjekur ta vendosë fokusin te ndërtimet e mëdha, modernizimi i administratës përmes dixhitalizimit, tërmeti dhe pandemia, por nuk ka hyrë në agresivitet, me përjashtim të përplasjes me Presidentin” tha Nazarko./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!