“3-4 lojtarë më provokonin”, Nwabueze: Këtë sezon nuk kisha rivalë, do e dëgjoni emrin tim

schedule08:57 - 10 Maj, 2021

schedule 08:57 - 10 Maj, 2021

Kyrian Nwabueze e ka mbyllur aventurë me Laçin ende pa u mbyllur sezoni pas gjithë peripecive të kaluara nga sulmuesi, që pritej të ishte një nga pikat kryesore të ekipit, por në fund nuk rezultoi kështu sepse dëmtimet e pezullimet e lanë më shumë jashtë fushës.

Mbrëmjen e djeshme sulmuesi amerikan ka folur për Supersport, ku ka folur rreth problemeve te Laçi, të ardhmes në Kategorinë Superiore dhe konkurrencës në garën për golashënuesin më të mirë.

“Për mua ka qenë një situatë e ndërlikuar te Laçi. Futbolli kështu është, kur luan mirë, gjithçka shkon në rrugën e duhur, në të kundërt, gjithçka bëhet e vështirë. Ishte një zgjidhje e kontratës dypalëshe. Kisha disa gjëra për të cilat nuk ramë dakord, por kjo i përket të shkuarës.

 

Është e vërtetë që në të shkuarën kam pasur problem shëndetësor, por aktualisht ndihem mirë. Më vjen keq që nuk më kontakton dikush përpara se të shkruajë në lidhje me shëndetin tim. Unë kam besim te vetja, nuk do të tërhiqem nga futbolli, përderisa ndihem mirë do të vazhdoj të luaj.

Ishte një sezon i pafat. Të jem i sinqertë, pata mundësinë të largohesha nga Laçi dhe të merrja më shumë para, por drejtuesit nuk donin, sepse po projektonin një skuadër për titullin kampion. Nuk kisha konkurrencë, vjet kisha Shkurtajn, tani nuk kisha më.

 

Në Shqipëri pas sezonit që bëra u bë shumë e vështirë, kisha 3-4 lojtarë që më provokonin dhe më godisnin. Do të ishte më mirë të mos ndodhte ai episod që ndodhi në sfidën ndaj Bylisit. Nuk dua ta shoh më veten në atë situatë. Pengje nuk kam, s’është mirë të kthesh kokën pas i penduar. Kam pasur marrëdhënie të mira me trajnerin Duro dhe lojtarët.

Përvojën te Laçi e cilësoj si pozitive. I vendos vetes notën 10, isha lojtari më i mirë i skuadrës. Golin më të bukur e shënova ndaj Vllaznisë. Do vazhdoj të luaj, do ta dëgjoni emrin tim duke shënuar. Nuk dua të them që nuk ka shanse të kthehem në Shqipëri, por dua të vazhdoj karrierën në vend tjetër, për momentin Kategoria Superiore nuk është në planet e mia”, tregoi Nwabueze. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!