29 vjet më parë Gjermania do të bashkohej pas rënies së murit të Berlinit, ngjarje që u kthye në një simbol dhe të rrëzimit të regjimit komunist.
Gjermania sot shënon 29 vjetorin e bashkimit. Më 3 Tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt.
Gjermania vuajti ndarjen e saj në dy pjesë: njëra, ajo perëndimore u kontrollua nga aleanca perëndimore e prirë nga SHBA-të, kurse tjetra,ajo lindore nga Bashkimi Sovjetik. Meritat u përkasin, krahas qytetarëve gjermano-lindorë, ashtu edhe liderit sovjetik Mikhail Gorbaçovit dhe kancelarit gjerman të kohës Helmut Kohël.
Gjithçka nisi me rënien e Murit të Berlinit, më 9 Nëntor 1989. Deri më 3 Tetor 1990 kishin kaluar 323 ditë. Muri kishte qenë simboli i ndarjes së Gjermanisë dhe tërë botës në dy blloqe.
Rënia e tij u bë simbol i fuqishëm i përfundimit të Luftës së Ftohtë. Kronikanët thonë se rënia ishte kurorëzim i përpjekjeve të paepura të gjermano-lindorëve të guximshëm. Askush nuk priste që në rrugë paqësore muri do të shembej aq shpejt.
I ngritur më 1961, në një gjatësi prej 155 kilometrash, muri për plotë 28 vjet ishte bërë pengesë famëkeqe që ndante familje e miq në të njëjtin qytet, që në fakt ishte vijë ndarëse e dy botëve. Dhe kjo nuk ishte se nuk pranohej nga bota përparimtare.
Më 1987, presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, nga Berlini i ishte lutur udhëheqësit reformator sovjetik Mikhail Gorbaçov që në emër të paqes, begatisë për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore ta shembte murin e ndarjes.
Ajo edhe ndodhi. Shembja e murit dhe bashkimi i dy Gjermanive ishin edhe një kushtrim për flakjen e zgjedhës në vende të tjera të bllokut lindor, përfshirë këtu edhe ish-Jugosllavinë, por edhe Shqipërinë./ABC News Albania 24/7