Reali i Madridit është gati të shpenzojë 280 milionë euro për të marrë yllin e Francës, Kilian Mbape. Trajneri Zidan, i ka dhënë ultimatum presidentit madrilen, Florentino Perez.
Nuk dihet qartë cilët përbetime janë më pa vlerë, ato të martesës apo të futbollit, ditët e sotme! Një tjetër premtim besnikërie, të paktën për aq sa përmban kontrata, pritet të shkelqet pasi Reali i Madridit duket se do të thyejë rekordin botëror të transferimeve për të marrë yllin e ri të Francës dhe Paris SG, Kilian Mbape.
Revista “Frans Futboll” e Parisit jep shifrën e jashtëzakonshme prej 280 milionë eurosh, në atë që do të jetë intriga kryesore e pranverës dhe e verës. Pikërisht Mbape duket se ishte kërkesa kryesore e trajnerit Zinedin Zidan, për presidentin Florentino Perez, si një nga kushtet kryesore për t’u kthyer në stol.
“Frans Futbolli” informon se Zidani do të ketë 500 milionë euro në dispozicion në verë për të forcuar skuadrën, nga të cilat 400 milionë janë gati që tani, ndërsa 100 milionë euro të tjera do të fitohen nga transferimi i Garet Bejlit në një nga klubet e Premier Ligës.
Tifozët madrilenë janë dakord në shumicë dërrmuse, që Mbape të vijë në “Bernabeu”, siç e tregon sondazhi I gazetës “Marka”, ku mbi 79 për qind e votuesve dhanë përgjigjen “Po”.
Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë që të ylli 20-vjeçar t’i shkëputet Paris SG. Kampionia e Francës, në pronësi të sheikëve miliarderë, shpenzoi 180 milionë euro për ta marrë dy vjet më parë nga Monako, dhe dëshiron të krijojë rreth tij, një skuadër që të dominojë Europën vitet e ardhshme.
Gjithsesi, UEFA duket se po bën presion për rregullat financiare, ndërsa vendimtar pritet të jetë vullneti i futbollistit. Presidenti Al Helaifi vështirë se mund të refuzojë dëshirën e prerë të një ylli kaq të rëndësishëm. Po ashtu, dështimi i fundit në Champions, përballë Mançester Junajtid, tregoi se PSG nuk do ta ketë të lehtë të plotësojë ëndrrat e mëdha të pronarit dhe të tifozëve.
Mbape vlerësohet si pasardhës i Lionel Mesit e Kristiano Ronaldos, dhe parashikohet të jetë numri 1 i ardhshëm i futbollit botëror. Edhe pse tepër i ri, ai pati meritë të veçantë që Franca u shpall kampione e botës vitin e kaluar në Rusi. Falë tij, dhe yjeve të tjerë, kombëtarja franceze cilësohet favorite edhe për të fituar Europianin e vitit 2020./abcnews.al