Tirana e Partizani në lëvizje. Nga kampi bardheblu ka zëra ofertash dhe këtë herë në qendër të vëmendjes është mesfushori Jurgen Çelhaka.
I riu, sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, ka një ofertë nga Serie A. Bëhet fjalë për Sassuolo, klub që ka shitur Locatelli te Juventusi për 35 milion euro dhe tani po tenton Çelhakën për 270 mijë euro.
Tirana thuhet se do të mbajë edhe një përqindje kartoni, nëse ky transferim do të kryhet. Një kapërcim i madh për Çelhakën, nëse do të kalonte në Serie A.
Gjithsesi mbetet të shihet, pasi në këtë periudhë fjalët janë të shumta dhe shpesh rezultojnë boshe. Sa i takon Partizanit, i njëjti burim shkruan se kanë arritur akordin me një fantazist.
Bëhet fjalë për Chandrel Matondo, i cili është pjesë e AS Otoho në Kongo. Rezulton që mesfushori me tipare sulmuese të ketë luajtur dy ndeshje me kombëtaren e tij dhe është 22 vjeç.
Partizani po e pret fantazistin, prej të cilit pritet shumë dhe shpresohet të shpërthejë në Superiore e pse jo më pas edhe të shitet jashtë. /abcnews.al