27 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës, më i rëndi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore

schedule07:59 - 11 Korrik, 2022

schedule 07:59 - 11 Korrik, 2022

Mijëra njerëz pritet të ndjekin sot ceremonitë përkujtimore të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës.
Eshtrat e 50 viktimave, të gjetura së voni, do të varrosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.
Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.
Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.
Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.
Udhëheqësit politikë të serbëve që jetojnë sot në Bosnje dhe në Serbinë fqinje refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”.
Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg.
Ligji ka shkaktuar zemërim te serbët e Bosnjës, që udhëhiqen nga Millorad Dodik, njëherësh anëtar i Presidencës trepalëshe të këtij vendi.
Dodik ka nisur procesin e tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori dhe sistemi i taksave, duke shkaktuar frikë për shpërbërjen e Bosnjës ose fillimin e një konflikti të ri.
Në prag të shënimit të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se në Srebrenicë, “Evropa ka dështuar”.
“Është më shumë se kurrë detyra jonë që të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës… të ngrihemi për të mbrojtur paqen, dinjitetin njerëzor dhe vlerat universale”, kanë thënë ata.
“Ende sot, ne nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë”, kanë thënë Borrell dhe Varhelyi, duke përmendur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Vrasjet masive dhe krimet e luftës që shohim në Ukrainë, sjellin kujtime të gjalla të atyre që kanë ndodhur në luftërat e Ballkanit Perëndimor në vitet 1990”, kanë thënë dy diplomatët e lartë evropianë.
Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!