(26) Kiko zbërthen 4 kinezet e arrestuar ne Fier

schedule20:49 - 27 Tetor, 2022

schedule 20:49 - 27 Tetor, 2022

Nga Lutfi Dervishi

Lajmi se katër kineze u ndaluan nga policia shqiptare se po fotografonin objekte të rëndësisë së veçantë në Fier bëri që Kiko Majmuni të lerë shkarkimin dhe sistemin e arkave me banane. Mori pa humbur kohe çarterin e u nis fillikat për të inspektuar situatën në terren.
Pas një konsultimi me shoqatën e veteranëve, autoritetet lokale dhe google earth Kiko përpiloi një inventar të objekteve strategjike në Fier dhe ja vuri në dispozicion prokurorit të çështjes për ta parë me përparësi. Kiko sugjeroi që hetimi të nisë nga supozimi se katër kinezët e ndaluar nuk janë punëtorë të Bankers, siç tregonin dokumentat e tyre, por anëtarë të GUANGBU- shërbimit kinez, një armatë me 7 mijë funksionarë dhe 200 mijë agjentë.

Kiko e nisi listën nga objektet e rëndësisë së veçantë të cilët nuk janë më në Fier.
1. Azotiku
2. Rafineria
3. TEC-i i Fierit
Të gjitha këto vepra janë ndërtuar nga kinezët, në kohën kur në trojet shqiptare këndohej kënga “Enver Hoxha e Mao Ce Duni janë si buka e një gruni”.
Projekti, financimi dhe inxhinerët zbatues ishin kinezë. Përfituesit ishin shqiptarët.
Cfarë duan kinezët që fotografojnë veprat që kanë ndërtuar veta? Për të gjetur këto vepra duhen arkeologë- mendoi Kiko.

Pas përpilimi të listës me objekte të rëndësisë së veçantë që nuk ekzistojnë më, Kiko kërkoi nga autoritetet lokale veprat për të cilat armiqtë e rinj po tregojnë interes të shtuar.
Autoritet lokale në bashkëpunim me shërbimet e specializuara hartuan një listë me 10 objekte të rëndësisë së veçantë në Fier. Me të marrë listën në dorë, Kiko sugjeroi që objektet të ruheshin nga forcat speciale.

1. Loti parë i segmentit të dytë, të fazës së tretë, të etapës së katërt të rrugës së vjetër Fier – Vlorë. (Kantieri në të cilën po punohet 24 orë, është objekt i rëndësisë strategjike.
2. Bypass Fier – Vlorë.
3. Stadiumi Loni Papuçiu
4. Kafeneja ku u kurdis kryengritja e Fierit viti 1935
5. Sheshi Europës me simbol globin.
6. Selia e PS-së
7. Shtëpia e Armando Subashit
8. Shtëpia e Luftar Pajës
9. Lumi i Gjanicës.
10. Plazhi i Semanit

Në përfundim të inspektimit Kiko Majmuni sugjeroi që çështja e kinezëve të ndaluar t’i kalojë për kopetencë SPAK-ut, sepse njërit prej kinezëve ju gjet një copë letër ku ishte shkruar T- IRAN. Të ketë lidhje me hakerat iranianë?

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!