25 prilli përfundon në gjykatë, të hënën seanca e parë

schedule14:46 - 29 Maj, 2021

schedule 14:46 - 29 Maj, 2021

Nga Esiona Konomi

Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave do të mbyllë të hënën të gjithë procesin e kundërshtive të partive ndaj rezultatit të zgjedhjeve.

Kështu KAS do të japë 3 vendimet e fundit për Korçën, Elbasanin dhe Fierin, duke i qëndruar linjës së tij fillestare, se zgjedhjet e 25 prillit janë të ligjshme, pavarësisht kërkesave të PD dhe LSI për ti përsëritur ato.

Rezultati i zgjedhjeve nuk do të ndryshohet nga KQZ, edhe pse KAS pranoi të rinumërohen 226 kuti të Beratit dhe Durrësit.

Pasaktësitë ishin aq të vogla, saqë LSI nuk u afrua fare tek mundësia për të përfituar një mandat në këto qarqe.

Ndërkohë, PD ka marrë që në seancën e parë, refuzimin e KAS për të marrë prova shtesë nga institucionet që do të vërtetonin masakrën zgjedhore që pretendon opozita.

Shumica e anëtarëve në KAS thanë se legalizimet, shit blerja e votës, apo të dhëna të tjera janë objekt i punës së prokurorisë dhe nuk mund të administrohen nga KQZ.

Gjithsesi me kërkesë të dy anëtarëve të pakicës në KAS, i pranua kërkesa e PD-së për analizë të shenjave të gishtërinjve, ku në çdo qark të verifikuar, rezultuan se kishte persona që kishin votuar disa herë.

Beteja për vlefshmërinë e zgjedhjeve do të zhvendoset tashmë në Kolegjin zgjedhor për të gjitha qarqet ku opozita kërkon pavlefshmëri. Seanca e parë e kësaj gjykate është të hënën, ku shqyrtohet Gjirokastra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!