25 milion persona në karantinë, zero tolerancë për këdo që shkel rregullat

schedule10:15 - 13 Prill, 2022

schedule 10:15 - 13 Prill, 2022

Autoritetet në Shangai kanë paralajmëruar se kushdo që shkel masat anti-Covid do të ndëshkohet ashpër nga qeveria.

Policia e Shangait ka prezantuar në detaje masat udhëzuese anti-Covid për 25 milionë banorët e qytetit, duke u kërkuar atyre të luftojnë pandeminë në zemër dhe të punojnë së bashku për të mposhtur virusin sa më shpejt.

Por shkelësit e rregullave të karantinës do të kenë 0 tolerim nga qeveria lokale.

“Ata që shkelin këto masa do të ndëshkohen në mënyrë rigoroze në përputhje me ligjin nga organet e sigurisë publike. Nëse veprimet e tyre janë krim, ata do të ndiqen penalisht në përputhje me ligjin,” tha policia në një deklaratë.

Prej tre javësh banorët e Shangait po jetojnë me masa strikte anti-Covid, të kufizuar për lëvizjet e tyre dhe daljet nga shtëpia. Transporti publik është mbyllur me qytetarët që shprehen të mërzitur dhe të stresuar nga masat e rrepta.

Në 24 orët e fundit, 25,141 raste të reja asimptomatike me Covid u regjistruan në Shangai , një rritje nga 22,348 raste të raportuara për të hënën.

Masat e rrepta të miratuara në Shangai, bazuar në politikën e rreptë të Kinës ” zero tolerancë ndaj Covid-19 “, që synon ndalimin e përhapjes së sëmundjes, kanë një ndikim në ekonominë globale, me analistët që paralajmërojnë se prek jo vetëm turizmin , por edhe zinxhirët e furnizimit të shumë sektorëve.

Të paktën 11 kompani tajvaneze, shumica prej tyre prodhues të komponentëve për pajisje elektronike, njoftuan sot se po pezullojnë prodhimin e tyre për shkak të masave kufizuese të vendosura në Shangai./abcnews.al/