25 kandidatë për deputetë në “sitë”, verifikohen jashtë vendit

schedule17:20 - 7 Prill, 2021

schedule 17:20 - 7 Prill, 2021

Nga Ermal Vija

Prokuroria e Përgjithshme vijon verifikimin për kandidatët që do garojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Burime nga institucioni i akuzës bëjnë me dije se numri i kandidatëve për verifikim ka shkuar në 30 dhe për 25 prej tyre ka kërkuar informacion në Interpol mbi aktivitetin që kanë kryer jashtë Shqipërisë.

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar zyrtarisht informacion në Interpol për 25 nga 30 emrat e kandidatëve që garojnë për një vend në parlament në zgjedhjet e 25 prillit. Njësia e dekriminalizimit përmes agjencive të huaja ligjzbatuese, kërkon të sigurojë informacion mbi shkeljet e mundshme penale që këta individë mund të kenë kryer jashtë territorit shqiptar. Ndërsa për 5 të tjerë, verifikimet po kryhen vetëm brenda vendit.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, do të vlerësohet nga ana e prokurorëve nëse ka vend për t’iu drejtuar shteteve respektive përmes letër-porosive për të vazhduar më pas hetimet në vendin tonë.Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur kështu verifikimet për 30 kandidatë me dyshimin se preken nga ligji i dekriminalizimit që mund t’i pengojë atë të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Pak ditë më parë, prokuroria e përgjithshme përmes një shkresë i kërkoi ambasadës amerikane, informacion për kreun e partisë social demokrate Tom Doshi që garon  i pari në Tiranë e Shkodër. Kjo edhe për faktin se ambasadorja Yuri Kim ka kërkuar që Doshi mos garojë në zgjedhjet e 25 prillit, si një person të cilit i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak se “është i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë”.

Në ditët në vijim pritet që të mbërrijë edhe një përgjigje pranë prokurorisë dhe nëse sigurohet informacion se Doshi ka shkelur ligjin, pritet që hetuesit të nisin letër-porosi drejt SHBA.  /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!