25 herë kampionët e kthyer në klub lagjeje, sa shumë “mëkate” te Tirana e Halilit

schedule14:28 - 27 Janar, 2021

schedule 14:28 - 27 Janar, 2021

Njerëz jemi, gabime bëjmë! Ka nga ata që nuk mësojnë kurrë prej tyre, ka klube që i përsërisin herë pas here dhe në disa raste gishtin e drejtojnë te personat e gabuar. Ndaj tyre marrin edhe shumë vendime, ndërsa më pas rezultati është i njëjti.

Te Tirana mund ta gjejnë shumë mirë veten te këto që shkruajmë. Mëkate pafund, nga ato që ndoshta as në klube më të vogla nuk duhet t’i bëjnë. Kur ndodhin te Tirana, atëherë pesha e gabimeve bëhet edhe më e madhe. Dhe normalisht përbëjnë lajm…

Në pak kohë në kampin bardheblu kanë ndodhur shumë gjëra, që faktojnë problematika të mëdha, që nuk i shkojnë për shtat një klubi të madh, me histori mbi 100-vjeçare. Disa prej “mëkateve” janë vënë në dukje edhe nga tifozët, që në rrjetet sociale nuk janë kursyer. Ndonjëherë edhe e teprojnë me ofendime, por dashurinë për Tiranën e kanë të pastër.

 

LARGIMI I TRAJNERIT KAMPION – Emanuel Egbo, pa i hequr pikë as presje, ishte një nga pikat kyçe të Tiranës në fitimin e titullit kampion vjet. “Martesa” Halili-Tirana ishte si gjithë të tjerat, me dashuri e herë-herë edhe me zënka.

Edhe pse Tirana fitonte, pozicioni i nigerianit vihej herë pas here në diskutim. Zërat dilnin pikërisht nga njerëz pranë klubit, që më pas sigurisht hidhte poshtë gjithçka. Pasi “muaji i mjaltit” mbaroi, rinisi kampionati dhe mjaftuan dy humbje për ta shkarkuar.

Gjithçka e mirë u harrua dhe vetë Egbo deklaroi: “Po prisnin prej kohësh të humbnim që të më shkarkonin”. Mjafton kaq për të kuptuar gjithçka. Mbulimi me rezultatet nuk u besua as nga tifozët më të thekur të Tiranës.

 

MINA ME SAHAT – Tefik Osmani është basti i madh i Refik Halilit. Edhe pse pas ndeshjes me Skënderbeun në Korçë ai pati një përplasje me stafin teknik, ndaj tij nuk u mor asnjë masë. Korçari kërkoi falje dhe gjakrat u ulën. Tirana arriti në finish dhe fitoi titullin kampion. Të gjithë të lumtur.

Presidenti i bardhebluve vendosi ta gradonte Osmanin drejtor, teknik a sportiv, pak rëndësi ka. Sigurisht stafi teknik, pas asaj që kishte ndodhur në Korçë, nuk mund të flinte mbi dafina. Jo vetëm kaq, pasi në njëfarë mënyre te Tirana u ndërtuan struktura paralele që krijuan të tjera pakënaqësi.

Arbi Laçi, një nga njerëzit më të besuar të presidentit Halili, e pa veten të tepërt. Mund të kishte mënyrë tjetër për t’i dhënë duart, sidomos kur prej vitesh i kishin dorëzuar çelësat e klubit. Emërimi i Osmanit dihej që do sillte pakënaqësi. Mina me sahat plasi dhe Laçi iku, më parë se Egbo të shkarkohej.

 

AUTOGOLI ME MUÇËN – Julian Ahmataj rezultoi një zgjedhje e gabuar te Tirana sezonin e shkruar, por rikthimi i Gentian Muçës në fushën e blertë ishte meritë e tij. Bardheblutë u ndihmuan nga qendërmbrojtësi dhe në fund festuan titullin.

Tirana vendosi të rinovojë me Muçën në gusht, por nuk vonoi shtrëngimi i duarve dhe justifikimi ishte se lojtari mendonte ta vazhdonte karrierën në fushë dhe në kampin bardheblu kishin krijuar iluzionin se ai do e mbyllte me futbollin. Po ata ia kishin rinovuar kontratën.

ZYRTARIZIMI I OSMANIT – A mund të pranohet që te Tirana të emërohet drejtori teknik apo sportiv pa asnjë njoftim të vetëm? Nuk është aspak normale, por ka ndodhur. Asnjë komunikatë zyrtare nga klubi nuk ka pasur për emërimin e Tefik Osmanit, i cili sigurisht për atë që ka dhënë në futbollin shqiptar, mund ta marrë një pozicion të tillë në një klub që e konsideron si pjesë të familjes.

 

PRECEDENTI DEDE – Ajo që ndodhi para ndeshjes me Laçin ishte e turpshme. T’i largohet trajneri 10 minuta para ndeshjes skuadrës kampione, klubit më të titulluar në vend, është e paprecedentë.

Të pranohet më pas me zë e figurë që largohet se donin t’i vendosnin formacionin, është edhe më e rëndë. Një njollë për Tiranën, kur kjo thuhet hapur në publik dhe pranohet nga vetë presidenti. Meraku i vetëm ishte që Dede të thoshte jam dorëhequr, për t’i shpëtuar një gjyqi tjetër. Pastaj diskutimet që kudo ka sugjerime dhe ishte hera e parë që ndodhte janë veç zbukurime…

TIRANA PA TRAJNER – Ndeshja me Laçin do të mbahet mend për një tjetër ngjarje, Tirana në stol nuk kishte asnjë trajner me licencë UEFA Pro. Drejtoi Tefik Osmani, i cili është drejtor sportiv i Tiranës dhe madje mori përsipër një barrë, që nuk i takon. Madje edhe humbja tha se i takon atij, duke ngarkuar veten. Sigurisht është e kuptueshme kur nga familja Halili i është shprehur besim i pamasë.

 

NERVOZIZMI I HALILIT – Nga ndeshja me Laçin kishin kaluar dy orë, por presidenti Refik Halili nuk ishte aspak i qetë. E mirëkuptojnë të gjithë, kur flitet për të birin nuk ndihet mirë. Gjithsesi Grenti duan apo jo te Tirana, do gjykohet për atë që jep në fushë.

Edhe vetë presidenti Halili për zgjedhjet që bën. Debati me Astrit Hafizin nxori një anë të errët të kreut të klubit të Tiranës. Fraza të tipit “me paratë e mia ka paguar kredinë”, “nuk shkon dot as deri tek ura Bunës se e hedhin poshtë”, nuk i shkojnë për shtat një presidenti klubi.

Halili dhe kushdo ka të gjithë të drejtën e botës të reagojë dhe të hedhë poshtë kritikat dhe akuzat, kur ka, por jo të kalojë në debate personale dhe të një niveli shumë të ulët. Tirana është barrë e rëndë dhe do shpatulla për ta mbajtur. Pjesa personale duhet lënë anash nga të gjithë.

 

KLUB PA LLOGARI BANKARE – Për shkak të gjyqeve të shumta ndër vite, Tiranës disa herë i janë bllokuar llogaritë bankare. Momentalisht nuk dihet se si operon klubi kampion me pagesat. Kuriozitet i madh se si UEFA ua ka kaluar paratë e Europës, apo se si Tirana ka paguar drejt Wydad Casablanca për të zhbllokuar merkaton. Me siguri ndonjë gjetje shqiptare.

KAMPION ME TIFOZËT KUNDËR – Tirana u shpall vjet kampione e Shqipërisë, i gëzoi tifozët pamasë për kthesën në derbi, por rënia në Kategorinë e Parë nuk është harruar. As titulli i vjetshëm nuk i ka qetësuar ultrasit, të cilët edhe kur po dilnin kampionë protestonin ndaj drejtuesve. As sivjet nuk janë kursyer, sikurse ndodhi pas largimit të Dedes. Me siguri ata nuk paguhen nga të tjerë për të sulmuar klubin e zemrës, sikurse ndokush mund të akuzojë media apo gazetarë të caktuar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!