Të gjithë demonstruesit pro-iranianë që kishin sulmuar ambasadën amerikane në Bagdad u larguan një ditë pas sulmit në kompleksin gjigant të saj. Duke u drejtuar daljeve të Zonës së Gjelbër, ku ndodhet ambasada, demonstruesit thërrisnin “Ne i dogjëm”, ndërkohë që kamionët transportonin shufrat e hekurit dhe pëlhurat e çadrave që kishin vendosur të martën duke thënë se do të qendronin aty për një kohë të pakufizuar.
Dhjetëra pjesëtarë të një grupi militant të përkrahur nga Irani e kaluan natën para hyrjes së ambasadës amerikane. Të martën, disa protestues arritën t’i kalojnë rrethojat dhe i dëmtuan xhamat e kompleksit të ndërtesave diplomatike.
Forcat amerikane përdorën gaz lotsjellës të mërkurën pas rritjes së numrit të protestuesve para ambasadës të cilët i vunë flakën çatisë së ndërtesës për pranimin e vizitorëve. Protestuesit sulmuan ambasadën amerikane pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër grupit “Kataib Hezbollah”, i cili përkrahet nga Irani.
Në këto sulme u vranë 25 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Presidenti amerikan, Donald Trump, fajësoi Iranin për sulmin ndaj ambasadës në Bagdad dhe e kërcënoi se do të paguajë një çmim shumë të madh për këtë veprim.
Lideri iranian Kamenei reagoi duke ironizuar presidentin amerikan dhe tha se ai shkruan tuitera duke akuzuar Iranin e duke kërcënuar vendin me raprezalje. Kamenei tha se nëse Irani vendos të luftojë me një shtet, do ta bëjë në mënyrë të qartë dhe do e godasë pa mëdyshje.
Ndërkohë sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, njoftoi të martën në mbrëmje se 750 trupa do të dërgohen në Lindjen e Mesme për shkak të rritjes së tensioneve në Irak.
/abcnews.al