21 Janari, vrasja e Aleks Nikës pa autor/ Gazetari: Prokuroria e Tiranës e vonuar, nuk ka bërë asnjë veprim shtesë hetimor

schedule20:27 - 22 Janar, 2024

schedule 20:27 - 22 Janar, 2024

Gazetari i ABC News, Ermal Vija thotë se vrasja e Aleks Nikës, është ende pa autor.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Vija u shpreh se Prokuroria e Tiranës është e vonuar dhe jep të njëjtën kronologji se po kryhen hetime.

Sipas Vijës, deri më tani, Prokuroria e Tiranës nuk ka bërë asnjë veprim shtesë hetimor në lidhje me këtë çështje.

“Deri në këto momente, prokuroria ka pa autor vrasjen e Aleks Nikës. Janë dy momente. E para, plumbi që është gjetur në kafkën e Nikës, është dërguar më herët në një laborator në Itali dhe ky plumb ende nuk ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës. Ditët e fundit, Prokuroria e Tiranës ka dërguar disa prova të tjera shtesë, mund të jenë dhe armët me të cilët është qëlluar mbi protestuesit dhe për t’u bërë më pas krahasimi i plumbave me armët të cilat tashmë janë dërguar në Itali dhe pritet që edhe për këto të kemi një konkluzion. Prokuroria e Tiranës është e vonuar sa i takon këtij hetimi.

Fillimisht, ka qenë Policia e Shtetit e cila ka pasur një iniciativë për të referuar ngjarjen, nga viti 2021. Kanë kaluar 3 vite kur Prokuroria e Tiranës, edhe në njoftimin e bërë publik ditën e sotme, na thotë se ka vetëm hetime, na tregon të njëjtën kronologji. Prokuroria deri në këtë fazë, nuk ka bërë asnjë veprim shtesë hetimor, përveç marrjes në pyetje të një kolegut tonë, i cili bëri publik vitin e kaluar një audio-përgjim”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!