Analisti Arben Meçe thotë se i gjithë zinxhiri politik i kohës kur ndodhën vrasjet e 21 Janarit duhet të mbajnë të njëjtën përgjegjësi. Në një intervistë për “Tirana Live”, duke komentuar dosjen që ka marrë në dorë SPAK, analisti tha se përveç vrasjeve, shumë të tjerë janë përfshirë në fshehjen e provave.
“Hetimi nuk ka përfunduar. Është faza tjetër, pjesa më makabër dhe më e dënueshme e 21 Janarit. Në orën 6, 7 deri në 11 të natës në këtë periudhë, e gjithë linja politike e kohës, filloi të dilte dhe të transmetonte se kemi të bëjmë me vepër të kryer nga brenda, por ishte inskenuar edhe doktori nga Spitali Ushtarak. U skenarizua një skemë tjetër që vërtetohej se vrasja u bë për të prodhuar skemën në fazën e dytë, dhe e dyta ishte mekanizmi që arriti në Komisionin Parlamentar.
Provat që u deformuan, kemi të bëjmë me një vepër tjetër penale. Te kjo vepër penale, SPAK duhet qëndrojë shumë, edhe të zhdukja e provave që prapë është vepër penale. Te kjo është përfshirë zinxhiri politik i PD të kohës. Në këtë kuadër kemi edhe Bashën. Po, Basha do të thërritet sepse është pjesë e një skenari makabër, do të thirret doktori, i gjithë paneli që ka dalë në media dhe ka folur. Nuk përjashtoj edhe thërritjen e vetë gazetarëve dhe mediave që u vunë në sinkron në këtë manipulim mediatik.
Të gjithë aktorët që kanë kontribuar në këtë proces, jo vetëm në vrasje, por edhe në manipulim të ngjarjes, kanë të njëjtën përgjegjësi. Basha dhe të tjerë që kanë qenë aktorë funksionalë në atë kohë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprën penale që kanë kryer”, u shpreh Meçe./abcnews.al