Ish komandanti i Gardës, Ndrea Prendi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), lidhur me çështjen e ’21 Janarit’. Pas daljes, ai është pyetur nga gazetarët, nëse do të vijë sërish në SPAK, dhe përgjigja ka qenë: ‘Sa herë të na thërrasin, për çdo gjë’.
Thirrja e tij vjen pasi SPAK regjistroi procedim penal për ’21 Janarin’ pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Është prokurori Alfred Shehu që po zhvillon dosjen e 21 Janarit, ndërsa, disa ditë më parë u thirrën për të dëshmuar bashkëshortja dhe xhaxhai i Aleks Nikës, një prej viktimave të ’21 Janarit’, Bashkëshortja tha se ka dorëzuar prova e fakte të reja, ndërsa xhaxhai u shpreh se ky është krim shtetëror.
Ata i kërkuan Gjykatës së Lartë që hetimet për vrasjen e të afërmit të tyre të kryen nga Prokuroria e Posaçme ndërsa kallëzuan zyrtarë të lartë shtetërore mes të cilëve ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe drejtues të lartë të Gardës.
Pas zbardhjes së vendimit të gjykatës së Lartë që urdhëroi SPAK të vijojë hetimet për 21 janarin, të prokuroria regjistroi hetimet për 3 vepra penale nga vrasja në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa. SPAK regjistroi hetimet pas zbardhjes së vendimit të gjykatës së lartë dhe asaj të të drejtave të njeriut me seli në Strasburg.
Sipas kësaj të fundit për vrasjet e 21 janarit nuk është zbardhur roli i zinxhirit komandues të gardës dhe vrasjet janë konsideruar krim shtetëror. Po kështu në vendim thuhet se prokuroria në atë kohë është penguar për të zbardhur ngjarjen./abcnews.al