21 janari festë kombëtare, debat i fortë në Kryesinë e Kuvendit

schedule11:11 - 31 Tetor, 2019

schedule 11:11 - 31 Tetor, 2019

Komisioni i Ligjeve shtyu vendimmarrjen për 21 Janarin si festë zyrtare. Pas mungesës së konsensusit, me kërkesë të deputetit Bashkim Fino, do t’i kërkohet qeverisë informacione mbi kostot financiare dhe Akademisë së Shkencave për të dhëna historike

Opozita parlamentare ka kërkuar shpalljen e një tjetër feste kombëtare në Shqipëri, e cila është data 21 janar. Propozimi ka ardhur nga deputeti Myslim Murrizi.

Kjo datë kujton ditën kur në vitin 2011 u vranë para kryeministrisë tre persona, ndërsa u plagosën shumë të tjerë. Më pas, njëri prej të plagosurve ndërroi jetë në spital duke e çuar bilancin e viktimave në katër.

Mirëpo, opozita nuk synon këtë datë, por 21 janarin e vitit 1920 kur u bë Kongresi i Lushnjes.

Në komisionin e ligjeve, ky propozim është shoqëruar me debate të forta. Myslim Murrizi ka arsyetuar se pse 21 Janari duhet të shpallet festë kombëtare. Sipas tij, Kongresi i Lushnjes konsiderohet ngjarje e madhe dhe është festuar deri në vitin 1939.

“Nga viti 1992 të gjithë kryeministrat e presidentët kanë qenë në Lushnje në nder të kësaj ngjarjeje”, tha ai.

Por deputeti i mazhorancës, Alket Hyseni tha se ka dy mënyra si kujtohen ngjarjet, duke përfshirë vendosjen e merave të rrugëve e tjerë. Sipas tij, përcaktimi si festë i kësaj date mund të shoqërohget me efekte të mëdha financiare.

“Çdo vend ka një limit të festave zyrtare. Greqia 12 dite, Kroacia 13, RMV ka 12, Shqipëria sot ka 14. Rendon tej mase në buxhet”, tha ai.

Siç raportoi gazetarja e Abc News, Esiona Konomi, Grupi Parlamentar i PS pritet ta rrëzojë këtë kërkesë me argumentin se shpallja e 21 janarit festë mund të shkaktojë reagime dhe të ngatërrohet me 21 janarin e vitit 2011.

Në një intervistë për Abc News disa ditë më parë, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla paralajmëroi propozimin e opozitës me argumentin se Shqipëria ka mjaft festa zyrtare dhe se nuk i nevojitet një tjetër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!