21 Janari, djali i Faik Myrtajt kërkon të rihapen hetimet për babain: Shpresa ime është SPAK

schedule09:53 - 28 Maj, 2021

schedule 09:53 - 28 Maj, 2021

Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtajt, i cili mbeti i vrarë në 21 janar të vitit 2011 kërkon që të rihapen hetimet për babain e tij. Kërkesa e tij vjen pas rihapjes së çështjes për dy të vrarët e tjerë,  Aleks Nika dhe Hekuran Dedës.

Në një prononcim për mediat, Myrtaj është shprehur se shpreson që çështjen e babait të tij ta marrë në dorë SPAK, ndërsa shtoi se kanë bërë kërkesë në Gjykatën e Lartë.

“Për dy personat që është hapur dosja e 21 janarit në dijeninë time për Aleks Nikën nuk ka pasur një hetim të thelluar dhe mesa kam marrë vesh ky është një hetim që ka bërë kërkesë policia. Shpresoj që çështjen e Aleks Nikës si dhe tre personave të tjerë ta marrë SPAK.

Ne thjeshtë kemi bërë kërkesën në Gjykatën e Lartë. Akoma s’kemi marrë përgjigje. Pres që çështjen ta marrë SPAK. Kjo është shpresa ime. Edhe gjykata speciale nuk është krijuar koma. Por kësaj çështje do i shkohet deri në fund. Është çështje kohe dhe duhet besim që kësaj çështje do ti shkohet deri ne fund. E kam thënë edhe më parë themelet e reformës në drejtësi sapo janë vendosur dhe kini besim të gjithë që kësaj çështje do t’i shkohet deri në fund,” ka thënë ai.

Në demostratën e 10 viteve më parë, të thirrur nga opozita e asaj kohe mbetën të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Gjithashtu u plagosën shumë persona të tjerë. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!