Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa thotë se 21 Janari është një çështje që i takon vetëm drejtësisë.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Softa u shpreh se të dhënat e serverit mund të kthehen.
“Është një ngjarje që i takon vetëm grupit hetimor dhe drejtësisë. Unë e gjykoj si një ngjarje që tronditi, sepse kemi pasur 4 të vrarë në bulevard. Flasim për objekte të rëndësisë së veçantë, si Kryeministria, të cilët me ligj ruhen nga Garda e Republikës. Garda e Republikës ka pasur varësi nga Ministria e Brendshme. Masat e ruajtjes së një objekti të veçantë kanë përforcime. Objekti ka qenë i ruajtur me kamera dhe kamerat ruhen në një server. Riformatim, në aspektin teknik, do të thotë që në momentin që bën riformatim të një serveri, të dhënat nuk ruhen, zerohen. Nëse mund të ketë gjurmë, apo nëse mund të rikthehen, i takon atyre që janë ekspertë. Kjo është mënyra e të dhënave dhe riformatimit të të dhënave.
Në të gjitha rastet, të dhënat duhet të ruhen. Nëse kemi fshirje të hard diskut, mundësia është, ekspertë të veçantë mund të rikuperojnë të dhëna nga hard disku, por jo gjithçka. FBI i ka mundësitë për t’i rikthyer të dhënat”, theksoi ai./abcnews.al