“2000 € të stërviteshe te Kukësi”, Gjici replikon: Longo mashtrues, ta mbyllë gojën!

schedule09:59 - 3 Qershor, 2022

schedule 09:59 - 3 Qershor, 2022

Luftë deklaratash mes Safet Gjici dhe Diego Longos. I pari që foli ishte italiani i larguar nga drejtimi i ekipit të Kukësit, i cili foli edhe për pagesa që bëheshin që me ekipin e parë të stërvitesh të rinj të ndryshëm. Presidenti i nderit nuk është përmbajtur në reagimin e tij.

“Është mashtrues ai, gënjeshtar, pipino… E di si është puna e këtyre tani, e la ekipin pa shkuar në Europë, bëri gjënë më të keqe. Unë si president nderi i ekipit, sepse nuk kam qenë aty, se po të isha aty nuk do të guxonte të rrinte më shumë se tre muaj me atë menaxhim që i bëri skuadrës. Por, ishte një trajner që klubi i dha një mundësi, sepse vjen nga bota e jashtme dhe e morëm me idenë të bëjmë një punë në ekipin e Kukësit.

Mori një ekip që ka qenë një herë kampion, disa herë nënkampion, fitues i Kupës dhe Superkupës, dhe vjen Longo na tregon neve se cila është skuadra e Kukësit. Do t’i thosha atij zotërisë të shkojë dhe ta mbyllë gojën dhe të mos e dëgjoj më edhe si emër, se ai nuk është trajner. Është gënjeshtër ajo që ka pohuar që i kam thënë presidentit apo klubit për dallaveraxhinjtë. Asnjëherë nuk ka thënë me emra konkretë.

Ky së bashku me stafin e vet, ata dy bishtat që kishte, doli trajner totalisht i dështuar. Ky zotëri është me probleme shëndetësore, nuk është puna te problemi i rezultatit.

13 ndeshje pa asnjë fitore ekipi i Kukësit, ishte diçka shumë e rëndë. U mundën me katër apo pesë gola. Nuk fliste për anën teknike të ndeshjes, por fliste që nuk ka gjatë ditës drita te kompleksi. Ishte joserioz, pa karakter. Unë e kam takuar gjithsej tri-katër herë dhe na tregon tani që paska dallavere të tilla në klub që na i paska treguar dhe klubi mori masa për këto dallavere me dy mijë euroshe…”, ka thënë Gjici për “Panorama Sport”.

Një ditë më parë Longo për gazetën deklaroi mes të tjerash: “Ia kam dhënë unë presidentit listën e të pandershmëve dhe jam krenar që eliminova disa zakone të pashëndetshme apo që largova persona që nuk ndihmonin klubin, por mendonin vetëm për vete. Për fat të keq, kur bën zgjedhje të tilla atëherë bëhesh i padëshirueshëm, mbi të gjitha sepse për shkak të edukatës dhe respektit, nuk i denoncon publikisht këta persona.

Për shembull, zakoni për të dhënë 2000 euro nga një i ri që të mund të stërvitej me skuadrën e parë ishte një turp. E them këtë sepse kjo jo vetëm që shkatërronte meritokracinë te të rinjtë, por në të njëjtën kohë i bënte ata të ndiheshin sikur kishin të drejtë edhe të luanin, sepse kishin paguar.

Fakti që unë vendosa t’i luftoja këto prapësira më solli shumë probleme dhe më shtoi armiqtë.  Persona që gjatë sezonit më kanë sulmuar mua dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur për interesa krejtësisht personale dhe dashakeqe”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!