20 vjet burg për vrasje, deri kur dikush tjetër pranoi se kishte kryer krimin

schedule09:44 - 25 Maj, 2020

schedule 09:44 - 25 Maj, 2020

Kaloi 20 vite në burg për një vrasje që nuk e kishte kryer, derisa dikush tjetër e pranoi atë. Është kjo historia e një qytetari nga Korea e Jugut, i cili u fut në burg kur ishte vetëm 22 vjeç dhe doli prej tij 20 vite më pas, për një krim që nuk e kishte kryer.

Sipas CNN, mekaniku 22-vjeçar u akuzua për përdhunimin dhe vrasjen e një  vajze 13-vjeçare, personi i tetë që vritej brenda dy vitesh.

Afërsisht një vit pas krimit, policia mbërriti në shtëpinë e Yoon dhe e shoqëruan në komisariat, ku në një dhomë të vogël e morën në pyetje për tri ditë me radhë.

 

Yoon i tha policisë se natën e vrasjes doli të merrte pak ajër. Gjatë shëtitjes, iu desh të ndalonte disa herë, sepse poliomieliti i kishte dëmtuar gjymtyrët. Gjatë mesnatës, Yoon pa një dritë ndezur në një shtëpi dhe sikurse rrëfeu, “ndjeu një nevojë urgjente për përdhunim”.

Sipas transkripteve të rrëfimit, ai kapërceu dritaren dhe përdhunoi vajzën edhe pse e dinte që prindërit e saj po flinin në dhomën ngjitur. Pas kësaj, dogji rrobat dhe shkoi në shtëpi, raporton abcnews.al

 

Historia e Yoon është e çuditshme: Ai rrëfeu krimin, u dënua me burgim të përjetshëm dhe u lirua 20 vite më pas, sepse Yoon nuk vrau dhe nuk përdhunoi kurrë njeri.

Në shtator të 2019-s, një nga zyrtarët e fundit të ngarkuar me hetimin e vrasjeve të shumta në Hwaseong, bëri një njoftim tronditës. Në korrik, policia dërgoi prova që mbaheshin në dosje prej 30 vitesh dhe testoi ADN-në. Provat e ADN-së treguan se tre nga vrasjet e famshme u kryen nga një person i identifikuar se Lee Chun-jae, i cilo rezultoi më pas që në fakt ishte autor i 10 vrasjeve, përfshirë edhe atë të vajzës 13-vjeçare.

 

Rrëfimi i Lee vetëm nuk ishte i mjaftueshëm për të pastruar emrin e Yoon. Në sytë e ligjit, ai ishte ende një vrasës i dënuar, raporton abcnews.al

Por çfarë ndodhi me Yoon dhe përse ai pranoi një krim që nuk e kishte kryer?

Kur merrej në pyetje nga policia, Yoon u la pa gjumë për plot 3 ditë. Qëndrimi zgjuar ishte një praktikë që përdorej shumë nga policia në Korenë e Jugut, me qëllim marrjen e rrëfimeve. Yoon nuk dinte asgjë për ligjin, nuk kishte mbaruar as filloren, ndaj për të shpëtuar nga dënimi me vdekje, i frikësuar, firmosi 3 letra ku deklaronte veten autor të vrasjes, raporton abcnews.al

 

“Ishte një makth,” tha ai. “Kur nuk fle për tri ditë me radhë, ti nuk e di më se çfarë thua. Nuk mban mend asgjë. Nuk mendon me arsye. Pyet veten nëse e ke kryer krimin ose jo.” Në fund, Yoon firmosi dhe kaloi 20 vite në burg, derisa vrasësi i vërtetë rrëfeu krimin.

Ai kërkon përsëri nderin e tij

Yoon është i vendosur të pastrojë emrin e tij dhe rigjykimi i tij filloi këtë javë. Kjo është një ngjarje e rrallë në Korenë e Jugut.

Një pjesë e vogël e kërkesave për rigjykime pranohen dhe ato zakonisht kërkojnë prova të reja, sipas avokatit Heo Yoon.

Park Joon-një nga avokatët e Yoon, thotë se provat rrallë mbahen për më shumë se 20 vjet, përveç në rastet e një krimi të tillë – si Hwaseong.

Në rastin e Yoon, rrëfimi i Lee Chun-jae do të jetë thelbësor. Është e mundur që vrasësi të dëshmojë në gjykatë para tre gjyqtarëve, të cilët kanë fuqinë të rrëzojnë dënimin e Yoon, tha Park.

Ka një shans të mirë që ai do të lirohet, raporton abcnews.al

Edhe pse ADN-ja e Lee përputhet me një numër të vrasjeve, policia nuk ka njoftuar asnjë provë të ADN-së që e lidh atë me vajzën 13-vjeçare.

Rigjykimi pritet të bëhet përgjatë disa muajve, por nëse Yoon nuk shpallet fajtor, ai mund të bëjë kërkesë për kompensim, sipas Parkut.

Yoon thotë se asgjë nuk mund ta kompensojë 20 vitet e jetës që humbi.

Yoon e di se Lee nuk do të gjykohet kurrë për krimin, as policët që ai thotë se e torturuan, sepse kanë kaluar shumë vite nga netët pa gjumë që ai kaloi në atë dhomë të vogël të marrjes në pyetje të policisë.

Ai thjesht dëshiron të jetojë pjesën tjetër të jetës së tij si një njeri i pafajshëm.

“Unë dua të pastroj emrin tim dhe dua që nderi im të më kthehet,” thotë ai. “Kjo është gjithçka që unë dua”./abcnews.al