Nga Ajgena Korbi
Me mbylljen e agjërimit gjatë muajit të Ramazanit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është rritur numri i personave që paraqiten për t’u vaksinuar kundër koronavirusit. Kryesisht janë mbi 60-vjeçarë që kryejnë dozën e dytë të Coronavac-ut kinez, por ka dhe prej atyre që shkojnë për të marrë injeksionin e parë të AstraZences.
“Ndihemi mendërisht më të sigurt”. “Jam me diabet dhe thashë të jem më e saktë”. “Tani bëra dozën e dytë, por maskën nuk e heq” thanë disa nga qytetarët.
Rreth 20 % e popullsisë në Shqipëri sipas Përgjegjëses së Programit Kombëtar Erida Nelaj është vaksinuar kundër Covid 19. Prej tyre rreth 200 mijë persona i kanë marrë të dy dozat.
“Vaksinim masiv ne mbetemi te mbi 60, por është ulur fasha te vaksinimet me Pfizer, për të sëmurë me sëmundje specifike. Ne kemi vaksinuar me Pfzier, personat me dializë, që kanë kryer transplante, që kanë sëmundje të imunitetit, që kanë ndërhyrje, ata me tumore. Kemi përfshirë edhe hoteleri turizëm dhe fasoneritë” tha ajo.
Të infektuarit me Covid 19 nuk kanë munguar as pas vaksinimit ndonëse të pakët në numër dhe pa komplikacione nga sëmundja prandaj specialistët përsërisin thirrjen për kujdes. “Duhet të presim një dhe dy javë pas dozës së dytë që të mendojmë që janë krijuar anti-trupat”.
Atyre që kanë matur nivelin e antitrupave pas vaksinës dhe iu ka rezultuar i ulët specialistët iu thonë se nuk ka vend për shqetësim.
“Normalisht ka pasur raste që kanë dalë zero anti-trupa edhe pasi kanë kaluar sëmundjen, pasi varet si reagon, ka anti-trupa të matshëm dhe jo. Të mos shqetësohemi shumë, por të kemi vendosur në lëvizje organizimin për të krijuar një lloj barriere” tha Nelaj.
Numri i vaksinimeve të kryera është rreth 650 mijë ndërsa synohet arritja e 1 milion brenda qershorit./ Abcnews.al