Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, si shumë të tjerë ditën e sotme, ka komentuar me ironi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me dërgimin në hapësirë të dy satelitëve.
Nga foltorja e Parlamentit, Këlliçi u shpreh se kampi socialist është duke punuar pa pushim për t’ua bërë më të vështirë jetën qytetarëve duke iu referuar rritjes së çmimit të bukës, karburanteve dhe energjisë elektrike.
Deputeti i PD i bëri thirrje kryeministrit Rama dhe zëvendësit të tij Arben Ahmetaj që të dalin në terren dhe t’ua komunikojnë në sy qytetarëve rritjen e çmimeve.
“Vjen dhe tallet duke folur për satelitë që do të dërgojë në orbitë, pëllumbat e tu paskan shkuar edhe në orbitë. Ke lënë mjekrën të dukesh si Ismail Qemali, por idhull paske edhe Yuri Gagarin që shkoi i pari në hapësirë. Javën tjetër do vijë dhe të njoftojnë hapjen e tenderit për punimet e Rrugës së Qumështit. Nuk ka shqiptar që nuk e sheh se kampi socialist nuk pushon fare, për t’ua bërë shqiptarëve jetën më të shtrenjtë. Rama njoftoi rritjen e çmimit të bukës, karburantit dhe energjisë, socialist nga ata të rrallë që thotë që nuk ka shqiptarë që vuajnë për bukë e gojës…Dy kokat e qeverisë mendojnë se shqiptarët mund ta blejnë bukën më shtrenjtë se ua mban xhepi. U bënë tetë vite që u kanë hyrë me themel xhepave të shqiptarëve…Hajdeni e thojuani në sy qytetarëve që është e përballueshme rritja e çmimit të bukës. Çdo t’u bëni shqiptarëve që nuk kanë mundësi të paguajë, do t’u tregoni burgun?” /abcnews.al/