2 në 5 meshkuj dhe 1 në 17 gra duhanpirës në Shqipëri

schedule15:01 - 31 Maj, 2019

schedule 15:01 - 31 Maj, 2019

Cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje do të ndalohen të konsumohen në mjedise të mbyllura. Në ditën botërore kundër duhanit, ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ashpërsim të masave kundër duhanpirjes.

Dy në 5 meshkuj të moshës mbi 15 vjeç dhe 1 ne 17 gra mbi këtë moshë në vendin tonë janë duhanpirës.

Studimi demografik dhe shëndetësor në Shqipëri tregon tendencë në ulje të numrit të konsumatorëve të duhanit megjithatë duhani cilësohet si shkaktari i kancerit të mushkërive në 2/3 e rasteve.

Në ditën botërore të luftës kundër tij Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka paralajmëruar ashpërsim të masave kundër duhanpirjes në mjedise të mbyllura.

“Me anë të këtyre ndryshimeve ligjore forcojmë më tej masat kundër duhanpirjes, për të mos lejuar askënd të abuzojë me ligjin, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme”.

Nëse një subjekt shkel dy herë brenda dy muajve ligjin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës dhe i pezullohet aktiviteti. Produkte duhani do te konsiderohen dhe cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje.

“Në frymën e Direktivës së BE si dhe Konventës Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit, me ndryshimet e pritshme ligjore, do të ndalohet duhanpirja në ambientet e mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile. Gjithashtu do të largohen nga tregu paketat me 10 cigare si dhe cigaret me shije karakteristike. Me anë të këtyre masave synojmë të mbrojmë të rinjtë dhe adoleshentët nga këto produkte që kanë shkallë të lartë varësie”.

Ndryshimet ligjore propozuar nga Ministria e Shëndetësisë pritet të kalojnë në Kuvend shumë shpejt. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!