2 kushte ndaj Berishës, Alibeaj: Sinjalet e bashkimit s’jepen duke pushtuar selinë, mund ta thellojnë ndasinë

schedule09:58 - 31 Mars, 2022

schedule 09:58 - 31 Mars, 2022

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se bashkimi nuk mund të ndodhë duke pushtuar selinë, referuar këtu prezencës së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe deputetëve të përjashtuar të cilët ishin të pranishëm në mbledhje edhe pse nuk ishin të ftuar të merrnin pjesë.

Alibeaj tha se pas vendimit të gjykatës ajo që po ndodh në selinë blu është “atmosferë pushtimi”. Kryetari i komanduar u shpreh se duhen dhënë sinjale bashkimi, por ato nuk mund të jepen duke ardhur, sipas tij, në mënyrë të dhunshme në mbledhjen e grupit. Kreu i PD nënvizoi se Berisha nuk është pjesë e grupit parlamentar. Ai përsëriti edhe njëherë kushtet e bashkimit, duke theksuar se Berisha duhet të bëjë hap pas në mënyrë që Partia Demokratike të jetë e bashkuar.

Lexo edhe: Berisha rikthehet pas 6 muajsh në mbledhjen e grupit parlamentar, kush janë deputetët që e bojkotojnë

Të gjejmë spiralen e bashkimit, ajo nis me palët që nisin të marrin frymë. Bashkimi bëhet duke qetësuar shpirtrat  e tyre sepse këto 6 muaj është zhvilluar një luftë e dhunshme. Sinjalet nuk mund të jepen duke pushtuar selinë e duke ardhur në mënyrë të dhunshme në mbledhjen e grupit parlamentar ndërkohë që nuk është pjesë e grupit parlamentar. Berisha nuk është pjesë e grupit. Për të gjetur gjuhën e përbashkët, ca akte të rëndësishme që të perceptohen nga njerëzit duhen bërë. Ndërprerja e gjuhës lincuese. Të ndërpritet kjo gjuhë dhe këto procese të njëanshme që demokratët në bazë të bashkohen. Si me Bashën duhet të ndodhë edhe me Berishën. Të japë dorëheqjen. Ndërkohë që ne bëjmë këtë tollovi Rama fërkon barkun”, tha ai. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!