(18) Shqiptari që tejkalon Levën e Arkimedit

schedule21:04 - 9 Shtator, 2022

schedule 21:04 - 9 Shtator, 2022

Nga Lutfi Dervishi

Majmuni Kiko ka qenë i tronditur këto ditë nga shqetësimi i qeverisë për ndërtimet pa leje. Kur qeveria nuk është mirë, populli vuan- tha Kiko duke kruajtur kokën.

Në këto kohë krize, paratë duhen shpenzuar si në Gjirokastër, tha Kiko. Tenderi 6 milionë dollarë për të ngritur dy satelitë për të parë ku ndërtohet pa leje, Kikos thjesht iu duk shpenzim i tepërt. Me 6 milionë dollarë sigurohen bananet për këtë popull për 2 vjet.

Duke menduar për një zgjidhje më ekonomike, Kiko brofi në këmbë dhe përjetoi në të njëjtën kohë momentin Eureka të Aristotelit, rënien e mollës të Isak Njutonit dhe Ballkanin e Hapur të Edi Ramës.

E gjeta zgjidhjen, tha- jo vetëm për ndërtimet pa leje, por edhe për lidhjet e paligjshme të energjisë, për kanabisin ende të paligjshëm dhe për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor. E gjeta zgjidhjen për gjithçka…

Nëse Arkimedi gjeti levën që do të lëvizte gjithë botën, unë kam gjetur njeriun që do të ndreqë Shqipërinë- tha Kiko dhe nga emocioni i tepërt që e kaploi, kullufiti një banane pa e qëruar.

Imagjino një moment sa miliona dollarë do të kursehen sikur të gjithë këto punë t’i bëj vetëm një njeri. Dhe ky njeri, do të jetë më i zoti se Mbinjeriu i Niçes dhe padyshim puna e tij do të jetë më me shumë vlerë se puna e të gjithë makinave inteligjente që njeh deri më sot njerëzimi.

Askush nuk do të ketë më frikë nga rritja e çmimit të karburanteve, rritja e çmimit të ushqimeve, rritja e çmimit të enegjisë… Zgjidhja është gjetur- ulëriti nga gëzimi Kiko. Ky vend nuk ka më nevojë të kërkojë për naftë, nuk ka më nevojë të marrë borxhe dhe as të lyp kur i bien tërmete. Ky vend brenda vitiit do të kalojë nga vendi i fundit në renditjen e vendeve të korruptuar në vendin më të pa korruptueshëm në botë. Ky vend do të bëhet Kopshti i Edenit mbi tokë. Ky vend ka “supernjeriun”. Si vallë nuk e ka gjetur shqiptarët këtë zgjidhje? E kanë patur para syve, nën hundë dhe prapa kurrizit gjithë kohën dhe nuk e kanë vënë re?

“Gjëja më e çmuar fshihet ndonjëherë në vendin më të dukshëm”, tha Kiko dhe hoqi menjëherë dorë nga ky mendim se iu duk se po kalonte në filozofi dhe po harronte zbulimin e madh që kishte bërë posacërisht për Shqipërinë.

Ky vend nuk do të ketë më ndërtime pa leje! Ky vend nuk do të ketë më lidhje të paligjshme të energjisë! Ky vend nuk do të ketë më kanabis! Ky vend nuk do të ketë më vrasje! Ky vend nuk do të regjistrojë më asnjë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Po të dojë, ky vend nuk do të ketë më as lojëra fati! Ky vend do të bëhet parajsa mbi tokë se ky vend e ka supernjeriun që do t’i bëj të gjitha këto me kosto zero. Ja pra, mijëra vjet njerëzimi është përpjekur për të shpikur Perpetuum Mobile- makinën që do të punonte pa burim energjie dhe nuk ja ka arritur. Shqiptarët janë me fat, sepse e kanë “Perpetuum Mobile” e tyre.

Kiko u mbush thellë me frymë, para se të shqiptonte supernjeriun shqiptar dhe në të njëjtën kohë po mendonte argumentat për të bindur edhe ata shqiptarë që jo vetëm dyshojnë te këmisha që kanë veshur, por edhe grinden me të.

PATRONAZHISTI – është zgjidhja e të gjitha zgjidhjeve – kumtoi Kiko plot krenari. Nga frika se mos e quanin të çmendur renditi me shpejtësi argumentat.

PATRONAZHISTET janë më të aftë se agjentët iranianë, rusë dhe kinezë të marrë së bashku. Ata hakeruan AKSH-in dhe nuk lanë asnjë gjurmë. As microsofti, madje, madje as SPAK -u nuk gjetën asnjë gjë që të fajësonte ushtrinë e Patronazhistëve. Morën gjithçka deshën dhe nuk lanë asnjë gjurmë. Perfektë.

Patronazhistët janë më efikasë sesa CIA amerikane, MOSADI izraelit, MITI turk, KIPI grek, MI5 dhe MI6 britanike, FSB ruse, BIA serbe, BND gjermane dhe DGSE franceze, të marra së bashku. Shqiptarët i kanë mes vetes, por po sillen keq. Patronazhistët paskan patur fatin e profetëve që në vendin e tyre i gjuajnë me gurë. Madje disa të marrë këtu në vend që t’i dekorojnë dhe t’i shpallin pasuri kombëtare, duan të hetojnë punën e tyre. Fali o Zot se nuk e dinë se çfarë po bëjnë!

A nuk ishte një patronazhist ai që njoftoi autoritetet për hapjen e një dritareje nga artisti njohur Bojken Lako dhe drejtësia jonë që vepron si orë zviceriane, e dënoi në mënyrë shembullore?

Janë patronazhistët që dinë jo vetëm se çfarë po ndërton/mbjell/kultivon pa leje, por dinë edhe mendimet që ke në kokë.

Ja pra, kush do guxojë të ndërtojë pa leje? Kush do të guxojë të bëj lidhje të paligjshme? Kush do të guxojë të mbjell kanabis? Kush do të guxojë të bëj korrupsion? Kush do të guxojë të bëj trafik? Kush do të guxojë të abuzojë me pushtetin? Askush sepse patronazhistët janë kudo. Uji fle, patronazhisti nuk fle.

Tani, ka mbetur vetëm një punë e vogël për t’u bërë- tha Kiko. Dikush t’u thotë patronazhistëve detyrat e reja. Kaq duhet që ky vend të bëhet Zvicër me dy dete.

P. S. Kiko do t’u kërkojë patronazhistëve vetëm një nder në këmbim. Ai do një autorizim special për të banuar në instalacionin prej druri e vegjetacioni kacavjerrës 4 milionë eurosh që do të ngrihet në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë.

“Kriza meriton dru, dhe dru të mirë” – ky do të jetë epitafi që do të vihet në instalacion, i tha Kikos në konfidencë një patronazhist.