Kanë kaluar 17 vjet që nga dita që ka ndryshuar përgjithmonë historinë e Shteteve të Bashkuara dhe botës, që nga ajo 11 shtator 2001, në të cilën një sulm i tmerrshëm shkaktoi vdekjen e rreth tre mijë njerëzve në zemër të Nju Jorkut. Ndërsa vendi përgatitet për të kujtuar viktimat e masakrës së Kullave Binjake, Big Apple ka vendosur të rihapë stacionin e metrosë së World Trade Center, që u shkatërrua plotësisht gjatë sulmit.
Stacioni i metrosë u varros nën gërmadhat e kullave binjake dhe rindërtimi i tij shihet si një fazë rilindjeje. Aq sa treni i parë që kaloi në këtë stacion u përshëndet nga qindra persona.
Punimet të cilat filluan në vitin 2015, sipas Nju Jork Tajms kanë kushtuar rreth 182 milion dollarë. Brenda stacionit ndodhet dhe një mozaik në mermer të bardhë ku është gdhendur teksti i deklaratës së pavarësisë dhe i deklaratës universale të të drejtave të njeriut të OKB-së.
Ashtu si çdo vit, me rastin e përvjetorit të masakrës, janë në program ceremoni përkujtimore për viktimat në Nju Jork me leximin e emrave në Qendrën Tregtare Botërore, në Uashington për të kujtuar sulmin në Pentagon, dhe në Pensilvani ku u përplas avioni i “United Airlines”.
Presidenti amerikan Donald Tramp me bashkëshorten e tij Melani kanë vendosur të mos qëndrojnë në Nju Jork, por të shkojnë në memorialin e 11 shtatorit në Shenksvill të Pensilvanisë. Vitin e kaluar Trump nderoi përvjetorin e parë të masakrës si kreu i Shtëpispë së Bardhë, duke marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon.
Mbi 3 mijë njerëz humbën jetën kur rrëmbyesit përplasën katër avionë mbi kullat binjake në Qendrën Botërore të Tregtisë në Neë York, mbi ndërtesën e Pentagonit në Washington dhe në një fushë në shtetin Pennsylvania.
Përgjegjës për sulmin ishte organizata terroriste Al Qaeda, e cila vepronte kryesisht në Afganistan.
Pas këtij sulmi, SHBA dhe aleatët e saj, sulmuan trupat terroriste Al Qaedas në Afganistan, për t’i dhënë botës një jetë më të sigurt, ndërsa pas disa viteve, trupat amerikane vranë edhe liderin terrorist Bin Laden, i cili ishte strehuar në Pakistan me familjen e tij. /abcnews.al