150 milion £ në “pjatë”, gjiganti anglez prioritet transferimin e Haaland

schedule11:59 - 14 Maj, 2021

schedule 11:59 - 14 Maj, 2021

Chelsea është kualifikuar në finalen e Champions League dhe trajneri Thomas Tuchel ka fituar besimin e të gjithëve. Presidenti Roman Abrahamovich është gati t’i japë një dorë, që gjermani të ndërtojë skuadrën që do.

Momentalisht ai po punon me ekipin e ndërtuar nga Frank Lampard dhe ka fituar EFL Cup, ndërsa tani ka mundësinë të luftojë edhe për Champions League, ku do të përballet sërish me Manchester City.

Në dispozicion të Tuchel tani do të jenë 150 milion sterlina dhe objektivi kryesor është Erling Haaland (55 gola në 57 ndeshje me Dortmund), një sulmues me shumë potencial që mund ta bënte skuadrën e Chelsea të frikshme.

Momentalisht në majë po luan Werner, por gjermani nuk ka qenë efikas para porte. Tammy Abraham po tenton të marrë minuta, kurse Olivier Giroud në verë pritet të largohet. Kështu Haaland është i domosdoshëm për t’u transferuar, por nga ana tjetër Borussia Dortmund duket e vendosur të mos e shesë.

Drejtuesit e klubit gjerman kanë qenë të qartë. CEO i verdhezinjve, Hans-Joachim Watzke ka deklaruar: “Haaland do të luajë me ne edhe sezonin tjetër dhe nuk mendoj asnjë opsion tjetër”. Edhe për Jadon Sancho Dortmund rezistoi verën e shkuar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!